Vulloviq: Ujmani dhe Vallçi janë në duart tona

Vulloviq: Ujmani dhe Vallçi janë në duart tona

Aktuale December 11, 2019 - 08:21
Detaje
Image

Kryetari i Zubin Potokut, Serxhan Vulloviq, i cili njëkohësisht është edhe drejtor i ndërmarrjes "Ibar HE Gazivode” në Zubin Potok, e ka quajtur provokim nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë - Shqipëri. Ai ka thënë se “provokimi i Prishtinës” nuk do ta rrezikojë furnizimin me energji të serbëve të veriut të Kosovës, shkruan sot gazeta Zeri.

Kryetari aktual i Zubin Potokut, Serxhan Vulloviq, i cili veten e quan drejtor të ndërmarrjes së ashtuquajtur “Iba HE Gazivode” (Ujman), ka deklaruar se shqiptarët janë përgatitur për ta sulmuar “Gazivoden” (Ujmanin), pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Tiranës për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë - Shqipëri. Vulloviqi ka thënë se hyrja e Prishtinës në sistemin energjetik me Shqipërinë është pjesë e planit për grabitje të pasurisë serbe në Kosovë. 

Kreu i Zubin Potokut: Marrëveshja KOSTT - OST, provokimi i fundit i Prishtinës

“Prapa qëllimit të Prishtinës që nga prilli i vitit të ardhshëm të jenë në një bllok energjetik me Shqipërinë qëndron plani shumëvjeçar i parealizuar i shqiptarëve të Kosovës për ta grabitur pasurinë serbe dhe vendosjen e kontrollit të plotë në veri. Serbët nuk përjashtojnë edhe përpjekjet e reja që edhe fizikisht ta marrin hidrocentralin ‘Gazivode’ dhe trafostacionin ‘Valaç’. Këto janë shkurtimisht qëllimet e fundit të shtetit të rrejshëm të Kosovës.

Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë ndërmjet operatorit të sistemit dhe tregut të energjisë elektrike KOSTT dhe operatorit shqiptar OST është edhe një shkelje e rendë e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Prishtinës, që ka ndodhur edhe me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO). Por provokimi i fundit i Prishtinës në asnjë mënyrë nuk do ta rrezikojë furnizimin me energji elektrike për serbët e veriut”, ka thënë Serxhan Vulloviq, kryetar aktual i Zubin Prokut dhe drejtor i të ashtuquajturës ndërmarrje publike “Ibar HE Gazivode”. Sipas tij, pjesën më të madhe të energjisë elektrike veriu i Kosovës e merr nga Novi Pazari. “Pjesën më të madhe të energjisë elektrike e marrim nga Serbia, nëpërmes rrjetit të sistemit të lartë nga Novi Pazari. Me aktin e nënshkrimit, me të cilin Kosova dëshiron të hyjë në një bllok energjetik me Shqipërinë, në terren asgjë nuk do të ndryshojë, sepse ‘Gazivode’ (Ujmani) dhe ‘Valaç’-i (trafostacioni në Vallç) mbesin në duart tona.

Natyrisht nuk do ta përjashtoja hapin e tyre të ardhshëm e që do të jetë përpjekja fizike për t’i grabitur këto resurse. BE-ja nuk po reagon në atë që Prishtina për shumë vite është duke i shkelur të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Ka qenë marrëveshja që Kosova të jetë fushë energjetike e posaçme, por parakushti që të formohen dy kompani serbe në veri të Kosovës është duke u penguar.

Politizimi i skajshëm i marrëveshjes KOSTT - OST nga serbët

Hyrja në një bllok energjetik me Tiranën është edhe një shkallë drejt realizimit të projektit të Shqipërisë së Madhe, ndërsa BE-ja edhe më tutje është duke heshtur. Prishtina dhe Tirana janë marrë vesh për kontroll të përbashkët doganor, Kosova ka marrë terminalin në Durrës, kanë misione diplomatike të përbashkëta dhe marrëveshje për bashkëpunim ushtarak.

Është interesant se nëse Kosova edhe zyrtarisht hyn në bllokun energjetik me Shqipërinë, në momentin e njëjtë do të pushojë përgjegjësia e Serbisë për humbjet që do t’i ketë. Para Evropës Shqipëria do ta marrë përgjegjësinë, sepse deri më tani Serbia gjithmonë është dashur t’i kompensojë të gjitha humbjet që i ka krijuar Prishtina”, ka thënë Vulloviq, duke iu referuar një eksperti serb të energjisë. Eksperti serb i energjisë elektrike, emri i të cilit nuk përmendet, ka thënë se me vite veriu i Kosovës nuk llogarit në rrymën nga territori i Kosovës. “Ata me vite nuk janë prodhues të mëdhenj të rrymës, termocentralet i kanë të vjetra, nuk dihet as në çfarë gjendjeje janë.

Është mirë që kanë potencial të thëngjillit, por Serbia mbulohet edhe pa energjinë elektrike të Kosovës”, ka thënë ai. Sipas “Novosti”-it, bashkimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në një sistem energjetik nuk është provokimi i parë i Prishtinës “për të grabitur pasurinë energjetike serbe në veri. Sipas gazetës së Beogradit, deri më tani kanë qenë disa përpjekje me letra dhe me akte të ndryshme të grabitet “Trepça”, derisa potencohet se Hashim Thaçi, në përcjellje të njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU, ka vizituar liqenin Gazivode (Ujmanin) në shtatorin e vitit 2018, gjë që kishte ngritur tensione në veri. shkruan  gazeta Zeri

Ndryshe, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë - Shqipëri.

Siç thuhej në një komunikatë të KOSTT-it, marrëveshja është nënshkruar me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO). Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020. “Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe nga ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, pati thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS) dhe bëhet pjesë e OST-së. “Kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe me KOSTT-in, meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Serbisë (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut).

Tani, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST-in dhe me fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST-në e Shqipërisë”, pati deklaruar Shala pas nënshkrimit të marrëveshjes./ ZERI