“Java Kundër Korrupsionit” me korrupsion deri në fyt

“Java Kundër Korrupsionit” me korrupsion deri në fyt

Aktuale December 10, 2019 - 08:23
detaje
Image

Dje është shënuar Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, si dhe zyrtarisht ka filluar edhe “Java Kundër Korrupsionit” në Kosovë. Kjo ka bërë bashkë 11 OJQ-të në vend, të cilat deri më 13 dhjetor do të organizojnë aktivitete të ndryshme rreth sundimit të ligjit e deri te sinjalizuesit dhe ligji për ta, shkruan sot gazeta Zeri.

Sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për ta pritet të jetë fokusi kyç i “Javës Kundër Korrupsionit”, e cila zyrtarisht filloi dje dhe do të përfundojë më 13 dhjetor. Koalicioni i OJQ-ve, i përbërë nga 11 organizata të shoqërisë civile, pohoi se përgjatë kësaj jave këtë vit do të trajtohen temat nga sundimi i ligjit e deri te sinjalizuesit, mbrojtja dhe ligji për ta.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit edhe Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me USAID-in ka organizuar një tryezë diskutimi, me ç’rast kanë shpalosur edhe një hulumtim për “Perceptimin e korrupsionit nga bizneset”. 

Sinjalizuesit, fokusi i “Javës Kundër Korrupsionit”

Koalicioni i OJQ-ve për “Javën Kundër Korrupsionit”, në përbërje të të cilit janë 11 organizata të shoqërisë civile, kanë hapur dje “Javën Kundër Korrupsionit” duke shpalosur kështu kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen deri më 13 dhjetor të këtij viti. Në këtë javë do të trajtohen çështjet, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, në prokurimin publik, në shëndetësi e në arsim, por fokusi kryesor do të jetë te sinjalizuesit, mbrojtja dhe ligjin për ta, i cili është miratuar gjatë këtij viti, shkruan tutje gazeta Zeri.

Arbëresha Loxhaj, nga GLPS-ja, tha se organizata e saj do të trajtojë temën e reformave në sistemin e drejtësisë pasi konsiderojnë se reformat e deritashme kanë dështuar të prodhojnë rezultate konkrete dhe të adresojnë në thelb problemet e sistemit të drejtësisë.

Në anën tjetër Saranda Ramaj, nga instituti “Columbus”, tha se kjo organizatë do të organizojë një tryezë në lidhje me fondin për trajtim jashtë vendit. Sipas saj, korrupsioni që prek pacientët është dyfish më i rëndë, prandaj edhe e kanë zgjedhur këtë temë duke i ditur sfidat nëpër të cilat kalojnë pacientët.

Instituti i Kosovës për Drejtësisë (IKD) këtë vit pritet t’i shfaqë dy dokumentarë. Betim Musliu, nga IKD-ja, tha se njëri prej tyre "Sinjalizuesit e korrupsionit" do të shfaqet po në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, autor i të cilit është vetë ai. Ky dokumentar do t’i shfaqë praktikat e mira të sinjalizimit të shkeljeve dhe të mbrojtjes së sinjalizuesve, të cilat u referohen rasteve të hulumtuara në disa shtete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vetë disa protagonistë do t’i tregojnë historitë e tyre nga sinjalizimi deri të mbrojtja e tyre.

Arben Kelmendi, nga KDI-ja, tha se edhe këtë vit kanë zgjedhur të merren me çështjen e financave të subjekteve politike. Duke kujtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, Kelmendi tha se KDI-ja gjatë “Javës Kundër Korrupsionit” ka sjellë ekspertë çekë të fushës dhe se do të organizojë një tryezë, si dhe ka përgatitur një fushatë vetëdijesuese, e cila do të transmetohet nëpër medie.

Bizneset ngurrojnë ta raportojnë korrupsionin

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Drejtësi Komerciale, ka prezantuar studimin për vitin 2019 me 256 kompani rreth “Perceptimit të korrupsionit sipas bizneseve”. Në këtë aktivitet, i cili po mbahet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” e ku u prezantua studimi, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi se prania e korrupsionit në vend mbetet faktor shqetësues. Sipas Zekës, bizneset hezitojnë ta raportojnë korrupsionin pavarësisht se ato janë në dijeni se korrupsioni ndikon në tërheqjen e investimeve të huaja në vend.

Në anën tjetër drejtori për Drejtësi Komerciale në USAID, Chris Thompson, potencoi se qeveria e re duhet ta formojë gjykatën komerciale.

Duke prezantuar të gjeturat e hulumtimit Ardita Hajra, zyrtare e Politikave në Odën Amerikane, theksoi se papunësia dhe korrupsioni po nxitin emigrimin e fuqisë punëtore. Sipas saj, 72% e bizneseve e shohin korrupsionin si çështje shumë kritike në Kosovë. “Projekti është realizuar në 256 biznese në gjithë Kosovën, gjysma e tyre ndërmarrje të vogla e të mesme. Të gjeturat janë shqetësuese dhe këto do t’i sinjalizojnë politikëbërësit dhe institucionet që të marrin me seriozitet këtë çështje. Korrupsioni del të jetë problem i madh në vend. Papunësia dhe korrupsioni po e nxitin emigrimin e fuqisë punëtore. 72% për qind mendojnë se duhet trajtim urgjent të korrupsionit, 42,97% mungesë e vullnetit politik për ta luftuar, 50,39% pagë e vogël dhe varfëria, kurse sundimi i ligjit 65,63% i dobët”, ka prezantuar ajo.

Hajra tutje ka thënë se 63,67% e bizneseve nuk e raportojnë korrupsionin, për shkak të frikës së hakmarrjes nga institucionet relevante. “78% e bizneseve nuk kanë raportuar raste të korrupsionit, derisa vetëm 22% kanë raportuar, 63,67% nga frika e hakmarrjes nga institucioni përkatës, kurse 46,88% mungesa e besimit në institucionet gjyqësore”, tha ajo.

Tahiri: Kosova ka bazë të fuqishme ligjore për luftimin e korrupsionit

Me rastin e shënimit të “Javës Kundër Korrupsionit” ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vlerësuar se Kosova tanimë ka një infrastrukturë dhe bazë të fuqishme ligjore për luftimin e korrupsionit. Në një deklaratë ai pohoi se shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj mbesin hallkë e fuqishme për luftimin e korrupsionit. “Shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin të përkushtuara për luftë të pakompromis kundër korrupsionit, duke ngushtuar hapësirën e veprimit të pjesëmarrësve korruptivë dhe duke rritur në mënyrë drastike masat kundër tyre.

Shënimi i ‘Javës Kundër Korrupsionit’ këtë vit Republikën e Kosovës dhe organet e saj të drejtësisë i gjen më të kompletuara se kurrë më parë dhe me një mentalitet të ri ligjor për të luftuar korrupsionin dhe çdo derivat të tij”, ka thënë Tahiri./ZERI