LVV-ja paralajmëron marrëveshje me LDK-në gjatë kësaj jave
Foto: Laura Hasani

LVV-ja paralajmëron marrëveshje me LDK-në gjatë kësaj jave

Aktuale December 10, 2019 - 08:12
detaje
Image

Derisa ka folur rreth formimit të qeverisë së re, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare. Edhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pohuar se gjatë kësaj jave do të ndodhë marrëveshja për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan sot gazeta Zeri

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe dy javë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, por ende nuk është arritur një marrëveshje finale për formimin e qeverisë së ardhshme. Si rezultat i kësaj ndërkombëtarët po bëjnë presion të vazhdueshëm për krijimin e institucioneve të reja. Lidhur me këtë gjatë ditës së djeshme është deklaruar edhe një herë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me ç’rast ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare.

Sipas Heldtit, Kosova ka nevojë për qeveri të re dhe për fillim të punës së institucioneve. Në anën tjetër, lideri i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa nuk janë takuar mes vete për të diskutuar rreth koalicionit për më shumë se një javë. Sidoqoftë, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se gjatë kësaj jave do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në.

Optimistë në këtë drejtim janë treguar edhe përfaqësuesit e LDK-së, të cilët kanë deklaruar se brenda dy javëve të ardhshme do ta nisë punën legjislatura e shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ultimatumi ndërkombëtar për bërjen e qeverisë

Njoftimin se kjo javë do të jetë vendimtare sa i përket formimit të qeverisë së re e ka dhënë së pari ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, i cili gjatë së hënës ka uruar një fillim të mbarë në këtë drejtim. “Rrezet e diellit po depërtojnë përmes mjegullës e reve. Një ogur i mirë në këtë mëngjes të së hënës për t’i rrumbullakuar me sukses bisedimet për koalicion. Kosova ka nevojë për qeverinë e re, ne të gjithë dëshirojmë t’i kthehemi punës. Ju uroj fillim të mbarë të kësaj jave vendimtare”, ka deklaruar Heldti.

Ambasadori gjerman edhe para disa ditësh ka kërkuar që qeveria e re të formohet sa më shpejt që është e mundur. “Ju lutem, bëjeni këtë qeveri, formojeni këtë qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur, mblidheni Parlamentin dhe qeverinë. Ka mjaft detyra të shtëpisë që duhet bërë”, pati deklaruar Heldti.

LVV-ja e LDK-ja, optimiste për koalicion të shpejtë

Lidhur me krijimin e institucioneve të reja është deklaruar edhe deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati, i cili ka pohuar se gjatë kësaj jave do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në. “Gjatë kësaj jave pritet nënshkrimi i koalicionit”, ka thënë shkurt Murati pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq pas regjistrimit si deputet Haxhi Avdyli, nga LDK-ja, ka thënë se edhe dy javë e ndajnë Kosovën nga fillimi i punës së legjislaturës së shtatë të Kuvendit. “Tani edhe dy javë na ndajnë kur Kuvendi fillon me punën, ku na presin sfida të mëdha. Jemi zgjedhur për të gjetur zgjidhje për sfidat dhe për t’u dhënë udhë proceseve. Optimist në tejkalimin e çdo pengese drejt suksesit”, ka deklaruar ai pas regjistrimit.

Regjistrimi i deputetëve të rinj të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës ka nisur gjatë ditës së djeshme.

Dy muaj diskutime

Diskutimet mes LVV-së dhe LDK-së për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje kanë nisur para dy muajve, pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Ndonëse takimi i parë ishte zhvilluar mes liderëve të partive, atë kohë qe marrë vendim që për një periudhë të caktuar bisedimet të vazhdonin në nivel teknik, gjegjësisht në kuadër të grupeve punuese. Ndërkohë, pavarësisht faktit që dialogu LVV - LDK tashmë është duke u zhvilluar në kuadër të nivelit politik, mes kryetarëve të subjekteve, ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë takimi i radhës.

Sidoqoftë, qysh prej fillimit të negociatave me Vetëvendosjen zyrtarët e LDK-së në vazhdimësi kanë deklaruar se pozita e presidentit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash e dy muaj ata janë duke insistuar që ta marrin garancinë për këtë pozitë. Por nga LVV-ja disa herë kanë përsëritur se posti i presidentit nuk duhet të negociohet.

Para pak ditësh nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se rreth kësaj çështjeje nuk është folur e as nuk do të flitet. “Nuk është diskutuar asnjëherë dhe as nuk diskutohet. Posti i presidentit nuk është partiak”, deklaroi ajo./ZERI