Kryeziu: Nëse në dy runde s’formohet qeveria, vendi shkon në zgjedhje të reja

Kryeziu: Nëse në dy runde s’formohet qeveria, vendi shkon në zgjedhje të reja

Aktuale December 09, 2019 - 10:51
detaje

Tash kur ende nuk është arritur një marrëveshje finale mes LVV-së dhe LDK-së, zyrtarë të Vetëvendosjes po paralajmërojnë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, po qe se nuk ka një marrëveshje të tillë, raporton zeri.info.

Taulant Kryeziu nga ky subjekt ka thënë se mandatari për formimin e qeverisë i takon vetëm LVV-së. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh në dy runde, ai ka thënë se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të sërishme. “Në aspektin juridiko- kushtetues, mandatari për formimin e qeverisë në dy rundet i takon partisë fituese në zgjedhjet nacionale pra, Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëm LVV dhe askush tjetër do ta ketë mandatin në raundin e parë dhe të dytë për formimin e qeverisë. Raund të tretë nuk ka. Nëse në dy runde nuk formohet qeveria,vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve”, ka deklaruar ai. Sidoqoftë, Kryeziu ka konsideruar se opsioni i parë paraqet rrugë më të shpejtë për të ardhur deri te formimi i institucioneve të reja. “Sovrani ka folur. Ai ka thënë qartë se ne jemi fitues të zgjedhjeve dhe që së bashku me LDK do jemi qeveria e ardhshme e vendit.

Partneritetin në qeverisje do ta bëjmë në përputhje me fuqinë elektorale të secilës forcë politike. Askush nuk do të ndihet i fyer dhe i përçmuar. Unë besoj fuqishëm që opsioni i parë është rrugë më e shpejt për të ardhur në krye të ekzekutivit njeriu që është garantues i projektit për ndryshimin e mendësisë së gabuar qeverisëse në vend”, ka shtuar ai. Votat që kanë ranguar LVV-në partinë e parë dhe LDK-në subjektin e dytë, sipas tij, shprehin qartë vullnetin e sovranit për ndryshim. “Po ashtu besoj fort se votat që kanë radhitur LVV dhe LDK, si partitë më të fuqishme në vend qartë shprehin vullnetin e sovrantit për ndyshim dhe prosperitet në vend dhe shkëputje nga mendësia plangprishëse”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë ka kaluar më shumë se një javë prej se është mbajtur takimi i fundit mes dy liderëve, atij të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa. LDK po vazhdon të insistojë se i takon posti i presidentit./Zeri