LDK: Nuk hyjmë në koalicion të nënshtruar, na takon presidenti dhe kryekuvendari

LDK: Nuk hyjmë në koalicion të nënshtruar, na takon presidenti dhe kryekuvendari

Aktuale December 09, 2019 - 10:32
detaje

Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ta marrë postin e presidentit dhe atë të kryeparlamentarit ndonëse për një gjë të tillë nuk po gjen pajtim nga partneri potencial i koalicionit. Për Vetëvendosjen pozita e presidentit është e panegociueshme dhe nëse LDK-ja nuk tërhiqet nga kjo kërkesë vendi mund të shkojë në zgjedhje, në të cilat partia e Kurtit po shprehet e gatshme të matet.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një prononcim për "Zërin" është shprehur se LDK-ja është duke u munduar të arrijë një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke mos u nënshtruar. Ai ka thënë se partia e tij ka të drejtë në kërkesat e saj për arritjen e koalicionit dhe se për to nuk do të lëshohet pe. "Në bisedimet tona ne nuk jemi duke biseduar për të lëshuar pe ose se kush po nënshtrohet. Në mënyrë që koalicioni të jetë i suksesshëm asnjëra palë nuk duhet të hyjë në marrëveshje si e nënshtruar. Lidhja Demokratike nuk e ka ndërmend të hyjë në një marrëveshje koalicioni si e nënshtruar".

Veliu ka treguar arsyen pse partia e tij mendon që duhet të definohet çështja e presidentit, kështu duke përmendur edhe dy pozitat për të cilat ai thotë se i takojnë LDK-së. "Ne kemi kërkuar që të definohet edhe çështja e presidentit, sepse në momentin kur presidentit i skadon mandati, atëherë sigurisht që duhet prapë të ulemi që të bisedojmë dhe të bëjmë zgjidhje. Në mënyrë që të mos kemi probleme gjatë rrugës ne insistojmë dhe kemi insistuar që edhe çështja e presidentit të jetë çështje e bisedimeve. Kjo është ndarja më e mirë, ndarje e barabartë e posteve ministrore, kryetari i Kuvendit dhe presidenti t'i takojnë Lidhjes Demokratike të Kosovës"./ZERI