Ibrahimi: Hidrocentralet, degraduesit kryesorë të lumenjve

Ibrahimi: Hidrocentralet, degraduesit kryesorë të lumenjve

Aktuale December 09, 2019 - 07:55
detaje

 

Image

Ekologu Halil Ibrahimi ka thënë se në të shumtën e rasteve hidrocentralet ndërtohen nëpër zona të mbrojtura, zona strikte, si dhe në rajone me vlera të larta të biodiversitetit, duke shkaktuar kësisoj zhdukjen e llojeve të rralla dhe të rëndësishme të bimëve dhe të kafshëve. Pothuajse në të gjitha rastet ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë, sipas tij, nuk i ka respektuar rregullativat ekzistuese ligjore,shkruan sot gazeta Zeri

Niveli i ndotjes i regjistruar në disa vende në Kosovë është shqetësues viteve të fundit. Kështu ka vlerësuar ekologu Halil Ibrahimi, i cili njëherësh është edhe profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës. Gjatë një bisede për gazetën “Zëri” Ibrahimi ka thënë se gjatë dy vjetëve të kaluara në Kosovë, sidomos në kryeqytet, janë regjistruar vlera alarmante të ndotjes së ajrit.

Gjatë intervistës profesori universitar ka thënë se Kosova po ballafaqohet me nivel alarmant të ndotjes edhe sa u përket ujërave. Një numër i madh i lumenjve të mëdhenj të Kosovës, siç Ibrahimi është shprehur, janë degraduar nga shfrytëzimi i rërës dhe i zhavorrit. 

Ndërkohë, derisa ka folur rreth hidrocentraleve, ka thënë se ndërtimi i tyre viteve të fundit në Kosovë, në bazë të shumë hulumtimeve, llogaritet të jetë njëri ndër faktorët kryesorë, krahas ndotjes, në degradimin e lumenjve.

Shkaktarët e ndotjes dhe hapat që mund ta përmirësojnë gjendjen aktuale

Teksa ka folur rreth gjendjes jo të mirë të ajrit në Kosovë Halil Ibrahimi ka veçuar disa prej shkaktarëve kryesorë, të cilët ndikojnë deri te rritja e nivelit të ndotjes. “Shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit janë përdorimi i karburanteve për transport, pastaj industritë ekzistuese dhe para së gjithash ajo e prodhimit të rrymës elektrike, si dhe në një masë të caktuar përdorimi i thëngjillit për ngrohje”.

Ndaj inspektimi i respektimit të rregullativave ligjore sipas tij është hapi i parë drejt përmirësimit të situatës sa i përket ndotjes së ajrit. “Shumica e industrive të cilat operojnë në Kosovë nuk inspektohen rregullisht nëse ndotësit të cilët ato i lirojnë në ajër janë brendapërbrenda limiteve të lejuara ligjore”, është shprehur ai.

Një masë tjetër, e cila do ta reduktonte ndotjen e ajrit në zonat urbane, sipas profesorit të UP-së, është edhe rregullimi i transportit publik në mënyrë që të zvogëlohej numri i veturave private. Në reduktimin e ndotjes gjithashtu do të kontribuonte edhe kontrolli i veturave që hyjnë në tregun e Kosovës për të qenë në përputhje me normat e përshtatshme për shëndetin e njeriut. “Në këtë kontekst duhet përshtatur edhe normat ekzistuese ligjore. Gjithashtu zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, do ta zvogëlonte përdorimin e lëndëve djegëse, të cilat e ndotin ajrin”, ka potencuar ai.

Ndotja e ujërave, në përmasa alarmante

Halil Ibrahimi gjatë bisedës ka folur edhe rreth ndotjes së ujërave në Kosovë. Me këtë rast ai ka thënë se ndotja e tyre tash e disa vjet ka kaluar në përmasa alarmante. “Ndotja e ujërave në Kosovë ka marrë përmasa alarmante gjatë dy dekadave të fundit nëpërmjet derdhjes së kanalizimeve dhe ujërave të patrajtuara nga industritë direkt në lumenj, si dhe nga veprimtari të tjera që i degradojnë ekosistemet e ujërave të ëmbla”, ka thënë ai.

Për disa vite me radhë, duke vazhduar edhe tani, një numër i madh i lumenjve të mëdhenj të Kosovës, siç Ibrahimi është shprehur, janë degraduar nga shfrytëzimi i rërës dhe i zhavorrit, gjë që e ka përkeqësuar edhe më tutje gjendjen e tyre. “Nëpër zonat malore përreth zonave turistike dhe atyre të banimit burimet ujore po ashtu janë të ndotura dhe të denatyruara nga përdorimi i pakontrolluar. Në anën tjetër, aktivitete të tjera antropogjene si prerja e pyjeve po ashtu ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së lumenjve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Edhe impiantet ekzistuese për pastrimin e ujërave të zeza në Kosovë sipas Ibrahimit janë të pamjaftueshme. “Ato as për së afërmi nuk arrijnë t’i pastrojnë ujërat e zeza përpara derdhjes nëpër lumenj. Tashmë, pasi që në një pjesë të madhe të Kosovës është investuar dukshëm në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm, është momenti i fundit që t’u kushtohet më tepër kujdes impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Projektet e tilla veçse kanë filluar aty-këtu nëpër Kosovë dhe duhet të intensifikohen”, ka vazhduar ai. Investimi në to, siç Ibrahimi është shprehur, duhet të jetë njëra ndër prioritetet e Kosovës.

Ndikimi i hidrocentraleve në zhdukjen e llojeve të rralla të bimëve dhe të kafshëve

Halil Ibrahimi gjatë intervistës për “Zërin” ka folur edhe rreth hidrocentraleve, me ç’rast ka thënë se ndërtimi i hidrocentraleve viteve të fundit në Kosovë, por edhe në Ballkan, në bazë të shumë hulumtimeve llogaritet të jetë njëri ndër faktorët kryesorë krahas ndotjes në degradimin e lumenjve. “Në të shumtën e rasteve hidrocentralet e tilla ndërtohen nëpër zona të mbrojtura, zona strikte, si dhe në rajone me vlera të larta të biodiversitetit, duke shkaktuar kështu zhdukjen e llojeve të rralla dhe të rëndësishme të bimëve dhe të kafshëve. Në anën tjetër, pothuajse në të gjitha rastet ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë nuk i ka respektuar rregullativat ekzistuese ligjore”.

Shembulli më eklatant në këtë drejtim sipas tij është ndërtimi i hidrocentralit mbi Lumëbardhin e Deçanit, ku nuk është respektuar minimumi ekologjik dhe i tërë lumi është futur në gypa. “Hulumtimet tona të para disa viteve tregojnë se në atë lumë kanë ekzistuar lloje të shumta të rralla të kafshëve. Të gjitha ato nuk janë regjistruar më pas punimeve për ndërtimin e hidrocentralit. Shkalla e përcaktuar për energji të ripërtërishme dhe të shëndetshme për mjedisin nuk duhet të arrihet duke bërë kompromis me degradimin e mjedisit”, ka vazhduar ai.

Ndaj Kosova, sipas tij, ka nevojë për një hulumtim të paanshëm dhe profesional fizibiliteti se ku mund të ndërtohen hidrocentralet ekzistuese, duke mos shkaktuar efekte anësore drastike në natyrë. “Kontrollimi i aktiviteteve rreth hidrocentraleve ka nevojë për kontroll urgjent, në mënyrë që të mos vazhdohet më tutje me trendin e tanishëm të shkatërrimit të botës së gjallë në dhe përreth lumenjve”, është shprehur ai.

Kurse derisa ka folur për “Kosovën e Re”, Ibrahimi ka thënë se Kosova ka nevojë për impiante të reja të prodhimit të energjisë, por ndërtimi i një termocentrali të tillë duhet të përcillet me planifikim të saktë të ndikimeve që mund të ketë ai në mjedis. “Duhet të gjendet një rrugë e mesme, e cila i kënaq nevojat për energji, por edhe nuk ndikon skajmërisht negativisht në mjedis. Prandaj ‘Kosova e Re’ duhet të ndërtohet, por mbase duke u modifikuar plani fillestar, në mënyrë që të merret në konsideratë mjedisi dhe shëndeti i njerëzve”, ka potencuar ai./ZERI