Mos liberalizimi i vizave për Kosovën lidhet me zhvillimet brenda BE-së

Mos liberalizimi i vizave për Kosovën lidhet me zhvillimet brenda BE-së

Aktuale dhjetor 08, 2019 - 15:09
Detaje

Adelheid Feilcke, shefe e programit për Evropën në Deutsche Welle ka folur për bashkëpunimin e mediave të Kosovës me këtë medium publik gjerman por edhe për temën e liberalizimit të vizave si dhe formimin e qeverisë së re.

Feilcke në një intervistë në “Përballje ditore” në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës lidhet me zhvillimet e brendshme në Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq Kosova është vend i vonuar… Ne e shohim në shumë aspekte që në Bashkimin Evropian proceset po vështirësohen. Bullgaria dhe Rumania janë anëtarësuar në kushte relativisht të lehta në krahasim me kushtet që vendosen sot, edhe Serbia e Mali i Zi kanë përfituar nga një frymë tjetër. Tani edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut janë viktima të këtyre zhvillimeve të fundit. Edhe Kosova me mos liberalizimin e vizave në një farë mënyre ka mbetur peng i këtyre zhvillimeve dhe rrethanave të brendshme të Bashkimit Evropian, në këtë mes patjetër që Kosova duhet të bëjë detyrat shtëpiake, dhe patjetër që konflikti me Serbinë dhe taksa nuk harrohen jashtë, dhe gjithë angazhimi është që të normalizohen lidhjet mes Kosovës dhe Serbisë. Por mos liberalizimi i vizave më shumë ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në BE”, ka pohuar ajo.

Feilcke tha se politikanët perëndimorë kanë bërë gjithmonë gabim kur kanë dhënë data për liberalizimin e vizave, duke shtuar se kështu është rritur depresioni dhe pakënaqësia. Megjithatë, ajo u shpreh optimiste se liberalizimi i vizave do të realizohet pasi që ka një përkrahje të madhe.

Sa i përket krijimit të Qeverisë së re të Kosovës, ajo tha se nuk duhet vetëm përshpejtuar, por çdo gjë do të ndodhë në kohën e vet.

“Unë e di që nga shumë vende ka kërkesa po ashtu edhe nga Gjermania, për të gjetur sa më shpejtë një zgjidhje në formimin e koalicionit edhe qeverinë dhe shumë faktorë kohëve të fundit janë shprehur se duhet përshpejtuar ky proces, sepse është për të mirën e Kosovës. Por nuk mendoj se duhet përshpejtuar, dhe gjithçka duhet të ndodhë në kohën e vet, sepse duhet shumë kohë dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje stabile d.m.th nuk është fituar asgjë”, tha ajo.

Feilcke tha në fund të intervistës së fillimisht duhet të merren vesh partnerët sepse janë nga forca të ndryshme politike, dhe se duhet gjetur mënyrë të bashkëpunimit dhe të mos funksionojnë vetëm për disa muaj po sa të kenë mandatet.