Institutit Kombëtar alarmon se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës, kërkon këto masa urgjente

Institutit Kombëtar alarmon se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës, kërkon këto masa urgjente

Aktuale December 08, 2019 - 10:41
Detaje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka alarmuar për rrezikun që po i kanoset popullatës si pasojë e ndotjes së pakontrolluar të ajrit në Kosovë përderisa ka propozuar disa masa urgjente për përmirësimin e gjendjes së krijuar nga smogu.

Si shkaktarë kryesorë të ndotjes në Kosovë janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonën e dimrit, automjetet e vjetëruara dhe trafiku i dendur si dhe djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, thuhet në njoftimin e institutit.

Kjo situatë shqetësuese do të rëndohet edhe më shumë në ditët e ftohta që do të vijnë dhe me rënien e temperaturave kur pritet të rritet shkalla e ndotjes së ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët, paralajmëron IKSHP.

Ky institut thekson se niveli alarmant i ndotjes në Kosovë çon drejt rritjes së numrit të sëmurëve kronikë me astmë bronkiale dhe ata me sëmundje të mushkërive, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së vdekshmërisë.

IKSHP kërkon që urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet,  të adaptohet legjislacioni për përmirësimin e cilësisë së ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të zbatohen programet kombëtare dhe projektet e përbashkëta për fushën e aerondotjes.

Instituti i Shëndetit Publik kërkon heqjen nga përdorimi të veturave të vjetra dhe veturat pa katalizatorë, inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët, të shtohet numri i autobusëve me karburante ekologjike në transport publik, të rriten sipërfaqet gjelbëruese në zona urbane dhe të matet kontaminimit në pikat kyqe në Kosovë dhe paraqitje ditore e rezultateve online.

IKSHP ka rekomanduar edhe një varg masash individuale për qytetarët që përfshijnë reduktimin e daljeve në qytet kur ajri është i ndotur sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje dhe të mos hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta të ndotjes.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se poqese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.