“Ne e arrestuam Gjuriqin, ata ulen në tavolinë me të”

“Ne e arrestuam Gjuriqin, ata ulen në tavolinë me të”

Aktuale December 07, 2019 - 23:30

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, ka reaguar pas publikimit të një fotografie sonte ku shihet anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla i ulur në një tavolinë me Marko Gjuqirin – shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Zyberaj ka thënë se është “krejtësisht e papranueshme ulja në një tavolinë me Marko Gjuriqin e disa përfaqësuesve shtetëror të Kosovës në Tiranë”.

“Gjuriqi mohon masakrën e Reçakut dhe është një revizionist historik që udhëheq fushatën propagandistike kundër Kosovës nga zyra ku ai është Drejtor”.

“Jam krenar që gjatë mandatit tonë Gjuriq u arrestua për shkelje të sovranitetit të Kosovës. Ai u prangos dhe u soll si Zagar fashist, e tani i civilizuar sillet sipas rregullave”, ka shkruar Zyberaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka sqaruar lidhur me fotografinë ku shihen Sveçla e Gjuriq.

Edhe vetë Sveçla ka reaguar pas publikimit të fotografisë.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Të dashur miq, po e shkruaj këtë sqarim jo për ju, por për ata që dëshirojnë keqkuptimin. 

Une sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit.

E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.

Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosoves, ndryshe nga paraardhësit tanë.