Ndotja e ajrit në Kosovë, institucionet akuzohen për neglizhencë

Ndotja e ajrit në Kosovë, institucionet akuzohen për neglizhencë

Aktuale December 06, 2019 - 20:04
Detajet

Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë se është për t’u gëzuar që qytetarët e shoqëria civile kërkojnë të drejtat e tyre madje edhe përmes marshimeve.

Ai ka thënë se asnjë leje nuk do të duhej të jepej për ndërtimet që ndotin ajrin, pa marrë parasysh edhe shqyrtimin publik.

Sipas tij, çdo qytetar me ligj ka të drejtë të padisë shtetin e këdo për ndotje të ajrit.

Ai tha se protestat e marshimet që po bëhen tash për cilësinë e dobët të ajrit, janë për shkak të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve.

Morina thotë se nëse flasin për cilësinë e ajrit është përzije e të gjithë ndotësve duke përfshirë veturat, shtëpitë, termocentralet, restorantet e të gjithë faktorët tjerë.

Ai thotë se Kosova ka gjashtë parametra që japin nivelin e ndotjes së ajrit. Sipas tij, matjet që bën Ambasada Amerikane tregojnë maksimumin e ndotjes.

“Ne nuk po e fshehim ndotjen. Nëse dëshirojmë të punojmë si shtet me të dhëna reale, atëherë Kosova ka investuar me miliona euro për pajisjet më të mira për matjen e ajrit. Presioni i qytetarë dhe shoqërisë civile është i mirëseardhur, ne vetëm i monitorojmë të dhënat që dalin. Është krijuar një strategji dhe plan i veprimit nga Ministria e Mjedisit. Problemi tek ne janë masat afatgjata sepse masat afatmesme janë të pamjaftueshme për ta përmirësuar cilësinë”, ka thënë ai në KTV.

Morina thotë se ndërtimet janë duke u bërë pa shikuar se si ndikon kjo në ndotjen e ajrit.

“Organizimi më i mirë nuk do të thotë të ndalohet qarkullimi i automjeteve. Ne sot dalim, secili qytetarë është i pakënaqur me transportin”, thotë ai duke shtuar se të gjitha hallkat e institucioneve nuk janë marrë sa duhet me problematikën e ndotjes së ajrit.

“Institucionet duhet të kenë njerëz të cilët kërkojnë implementim të legjislacionit, sepse si i tillë në letër është shumë mirë i rregulluar”, ka thënë ai.

Sipas tij masat emergjente janë ndalimi i thëngjillit, ndonëse pranon se një gjë e tillë nuk doli të jetë e suksesshme.

Ai thotë se parametrat e vendosura në lagje të ndryshme japin të dhëna të ndryshme për ndotjen e ajrit.

Morina thotë se ndotjen nuk po e shkakton vetëm industria, 70 deri 80 për qind e ndotjes vjen nga shtëpitë private të cilat përdorin lëndë djegëse.

“E keqja e matjes së rezultateve është ngritja e nivelit të sulfurit dhe të azotit në lakoren e ndotjeve, sepse pluhurat janë duke rënë dhe gazrat janë duke u shtuar”, ka thënë ai.

Duke folur për emetimin e gazeve në kontrollin teknik i cili u patë bërë përmes një udhëzimi administrativ, ai tha se nuk është zbatuar asnjëherë.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës nuk e ka organizuar kontrollin teknik siç duhet.

Ai thotë se masat afatgjate janë duke shkuar ngadalë, derisa shton se po investohet gabim.

“Masë adekuate do të ishte ndalimi i shfrytëzimit të thëngjillit. Unë iu bëj thirrje që ta ndalojnë nxjerrjen ilegale të thëngjillit”, ka thënë ai.

Sipas tij nuk është normale që për 20 vjet asnjë kryetar nuk e ka menduar ta gjejë një zgjidhje për ngrohtoren e qytetit.

Ai thotë se për momentin në Kosovë tashmë sa ka shtëpi ka edhe aq ndotës.