Ekspertët japonezë në Tiranë: Dëmet nga tërmeti janë shumë serioze, skanim i plotë i situatës

Ekspertët japonezë në Tiranë: Dëmet nga tërmeti janë shumë serioze, skanim i plotë i situatës

Aktuale December 06, 2019 - 17:14
Detajet

Ekspertë të huaj dhe vendas, të mbledhur në një simpozium në Tiranë kanë diskutuar për situatën në vend pas tërmetit. Profesorja e Universitetit te Tokios, Aya Kubota, tha se dëmet janë shumë serioze, ndaj nevojitet një evidentim i saktë i tyre.

Sfidat e sotme në industrinë e ndërtimit dhe rimëkëmbja ndaj rreziqeve natyrore, marrë shkas nga tërmeti i 26 nëntorit, mblodhën në një simpozium ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj të fushave të inxhinierisë, planifikimit dhe arkitekturës. Të pranishëm në aktivitetin e mbajtur në Tiranë,  ishin edhe ekspertët japonezë. Profesorja e Universitetit te Tokios Aya Kubota foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes ekspertëve për të menaxhuar sa më mirë situatën.

“Ka shumë rëndësi që të mblidhen sa më shumë të dhëna pas dëmeve të konstatuara në mënyrë që të planifikojmë edhe rikuperimin. Duhet që ekspertët të bëjnë llogaritjen e dëmeve nga tërmeti dhe me pas duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë. Është shumë e rëndësishme që ekspertet ndërkombëtarë, përfshirë dhe ata japonezë duhet të bashkëpunojnë me ata vendas për të ecur para në këtë proces. Dëmet nga tërmeti janë serioze, dhe  njerëzit po i vuajnë shumë këto pasoja. Ka shumë rëndësi të jemi të kujdesshëm me ndërtesat e dëmtuara që kanë marrë krisje të konsiderueshme”.

Duke marrë shkas nga situata në të cilën ndodhet vendi ynë, profesoreshë Luljeta Bozo thekson se ka shumëm rendësi përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë që kanë kaluar fatkeqësi nga tërmetet.

“Ekspertët më të mirë do të ishin nga vendet që i kanë provuar dhe i provojnë vazhdimisht tërmetet, sepse ata kanë eksperiencë në këtë fushë. Unë mendoj që tonin këtu duhet ta japin ekspertët vendas dhe grupi duhet të jetë i përbashkët. Jo njerëz pa eksperiencë”.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në dëmtimin serioz të ndërtesave sipas profesoreshë Bozos është edhe mungesa e projekteve të mirëfillta pasi ka dhe shtëpi pa themele.

“Ndërtimet që janë bërë pa projekt dhe pa specialistë. Ndërtimi qoftë i një ndërtese 1 katëshe, është një problem teknik dhe nuk mund të zgjidhet nga njerëz që janë profanë. Njerëzit janë të papërgjegjshëm, kanë ndërhyrë në ndërtim, kanë prishur themelet, kanë hequr muret dhe ajo ndërtesë ka pësuar dëmtime”.

Por si duhet ndërhyrë në ndërtesat që tashmë kanë pësuar krisje dhe dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit?

“Mos bëjmë arna për ato që janë në fund të jetës. Çdo objekt ka jetëgjatësinë e vet. Të vjetër dhe me tulla të vjetruara, nuk duhen bërë arnime, është më mirë të riorganizohet zona”, tha Bozo./abcnews.al