"Mundësitë për ngritjen e aktakuzave të para"

Aktuale December 06, 2019 - 13:46
Detajet

Edhe të enjten ka vazhduar intervistimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, teksa dje para këtij organi ka dalë ish-ushtari i UÇK-së Demush Laçi, i cili ftesën për intervistim e kishte marrë më 12 nëntor. Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme, avokatët e akredituar nga ky institucion vlerësojnë se aktakuzat e para mund të ngrihen shumë shpejt, shkruan sot gazeta Zëri.

Avokati Tomë Gashi, duke e komentuar punën e Gjykatës Speciale, ka thënë se aktualisht nuk mund të flitet për ngritje të aktakuzave ose për arrestimet e para, meqë, siç ka thënë ai, kjo gjë varet nga provat e siguruara nga Prokuroria Speciale. “Është paksa joserioze që dikush të flasë me data ose me muaj se kur do të fillojnë arrestimet, sepse këtë askush nuk e di përveç Zyrës së Prokurorit Special, i cili pas përfundimit të hetimeve ose gjatë hetimeve bën kërkesë për arrestimin – paraburgosjen e dikujt dhe kushtet për arrestimin - paraburgimin e kujtdo të dyshuar për vepra penale në kompetencë të Gjykatës Speciale janë të përcaktuara me ligj dhe për arrestimin e dikujt të dyshuar vendos Zyra e Prokurorit Special, ndërsa për paraburgosen e dikujt vendos gjyqtari kompetent i Gjykatës Speciale në Hagë”, ka thënë ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Gashi ka theksuar se procesi i ngritjes së aktakuzave është proces i pashmangshëm, meqë për këtë gjë ekziston ligji i votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 për ngritjen e këtij organi. “Të gjitha këto aludime se arrestimet e para do të ndodhin në dhjetor mund edhe të ndodhin, por janë më tepër hamendje, në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt, kushdo qoftë ai, sepse asnjë shqiptar nuk e dëshiron ketë, por është e paevitueshme se një ditë do të ndodhin këto arrestime - akuzime, paraburgosje dhe gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për shkak se kështu kanë vendosur deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ata kanë votuar për një gjykatë raciste kundër shqiptarëve në përgjithësi. //ZERI