Kollçaku: Shëndetësia nuk ka qenë prioritet, pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate

Kollçaku: Shëndetësia nuk ka qenë prioritet, pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate

Aktuale December 06, 2019 - 13:43
Detajet

Gjermania, Suedia e shtetet tjera të Bashkimit Evropian po vazhdojnë t’ia marrin Kosovës punëtorët shëndetësorë. Së fundmi edhe Katari ka shfaqur interesim t’i rekrutojë mjekët kosovarë. Pasojat e ikjes së mjekëve nga vendi vlerësohet se do të jenë afatgjate, shkruan sot gazeta Zëri.

Deputetja Fatmire Kollçaku, e cila është njohëse e fushës së shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë për “Zërin” se me kohë shëndetësia në vend nuk ka qenë prioritet, andaj edhe pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate.“Pasojat e ikjes së mjekëve janë afatgjate, duke pasur parasysh se një kohë të gjatë shëndetësia nuk ka qenë prioritet duke pasur parasysh që edhe kur janë bërë punësimet kanë munguar edhe kushtet e punës. Kanë qenë edhe pagat e vogla e po ashtu mjekët nuk kanë pasur mundësi për edukim të vazhdueshëm profesional”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka thënë tutje se është si prioritet që mjekëve t’u rregullohen kushtet e punës, sepse kushtet jo të mira e pamundësia e zhvillimit në karrierë kanë qenë jomotivuese për ta. “Si prioritet është të rregullohen kushtet e punës për mjekët. Pjesëmarrja në konferenca e në trajnime ka qenë pothuajse e pamundur, zakonisht ka qenë e mundur vetëm për një grup të vogël të mjekëve. E gjithë kjo ka qenë jomotivim për mjekët e rinj, duke e parë se nuk ka zhvillim të karrierës, sepse studentët kur i përfundojnë studimet kanë nevojë të vazhdojnë me specializimin”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Time Kadrijaj, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shërbyer si mjeke, ka thënë për gazetën se është e dhimbshme dhe e padrejtë largimi i mjekëve. Sipas saj, me Ligjin e ri për Paga mjekët do të kenë përfitime, të cilat do të jenë të mjaftueshme për ta. “Kjo gjë është e padrejtë dhe e dhimbshme. Mjekët janë përfituesit më të mëdhenj nga Ligji i Pagave. Përfitimet kanë për të qenë më të shumta në Kosovë sesa në Gjermani. Me Ligjin për Paga unë mendoj se pagat janë rritur mbi 100 për qind për mjekët. Secila qeveri duhet të mundohet t’i ndalë kuadrot e saj. Atë çfarë ka mundur ta bëjë Qeveria ka qenë t’i rrisë përfitimet, pra është rritur paga mbi 100 për qind dhe besoj se mjekët kanë përfitime të mjaftueshme”, ka potencuar Kadrijaj. //ZERI