Ekipi grek i kërkim-shpëtimit zbulon shkakun e shembjes së pallateve në Thumanë

Ekipi grek i kërkim-shpëtimit zbulon shkakun e shembjes së pallateve në Thumanë

Aktuale dhjetor 05, 2019 - 22:32
Detaje

Greqia ishte ndër shtetet e para që dërgoi në Shqipëri ekipet e kërkim-shpëtimit për të ndihmuar në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat që la pas tërmeti i 26 Nëntorit.

Njëri prej anëtarëve të ekipit grek, ka shpjeguar për gazetën “Ethnos” arsyen përse u rrëzuan pallatet në Thumanë. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit të pallateve të rrëzuara.

Këto pallate në Thumanë, të ndërtuara në vitin 1979, nuk kishin çimento në muret e tyre mbajtëse.

“Fillimisht u shokuam kur zbuluam se ndërtesa nuk kishte mure mbajtëse me çimento. Kolonat ishin vetëm me tulla, dhe tullat nuk ishin më të trasha se 15 centimetër. E gjithë ndërtesa po qëndronte në “ajër” dhe natyrisht që do të shembej. Kurrë më parë nuk kisha parë një ndërtim të tillë”, tregon Spiros Karoubis, njëri prej anëtarëve të ekipit grek të kërkim-shpëtimit që u angazhuan në Thumanë.

51 persona humbën jetën nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit që goditi vendin tonë. Durrësi dhe Thumana ishin zonat më të prekura. Në Thumanë humbën jetën 24 vetë nga shembja e pallateve.