Skandal me ndërtimet në Prishtinë, 690 objekte pa certifikatë përdorimi

Skandal me ndërtimet në Prishtinë, 690 objekte pa certifikatë përdorimi

Aktuale December 02, 2019 - 08:26
Detajet
Image

690 objekte vetëm në territorin e komunës së Prishtinës nuk janë të pajisura me certifikatë të përdorimit. Nga të dhënat e Komunës, ndonëse posedojnë leje ndërtimore, ato nuk e kanë edhe pranimin teknik, duke i përfshirë këtu edhe disa institucione shtetërore. Sipas njohësve të rrethanave, lëshimi për banim i këtyre objekte pa pasur pranim teknik është në kundërshtim me ligjin,shkruan sot gazeta Zeri

Në një listë të publikuar nga Komuna e Prishtinës saktësisht 690 objekte figurojnë që posedojnë leje ndërtimore, por jo edhe certifikatë të përdorimit të tyre. Prishtina është një ndër qytetet që përballet me numrin e madh të ndërtimeve pa leje, si dhe një ndër qytetet më të mbipopulluara me ndërtime në Kosovë. Ndonëse Komuna e Prishtinës në uebin e saj ka të publikuara lejet ndërtimore ndër vite, në to nuk ka qasje.

Qasje nuk ka as në dokumentet ku janë të paraqitura certifikatat e përdorimit të objekteve në kryeqytet përgjatë vitit 2014-2019, ndonëse Komuna e Prishtinës gazetën “Zëri” e ka drejtuar po te këto dokumente.

Sipas njohësve të çështjeve të emergjencave, mospasja e certifikatës së përdorimit të një objekti të caktuar është në kundërshtim me ligjin, sepse certifikata, sipas tyre, është një dëshmi që objekti i ndërtuar është përfunduar sipas projektit kryesor dhe se është i gatshëm për banim.

690 objekte në Prishtinë pa certifikatë të përdorimit

Hiç më pak se 690 objekte pa certifikatë përdorimi gjenden vetëm në Komunën e Prishtinës. Kjo e fundit në uebfaqen e saj ka publikuar një listë, në të cilën gjenden 690 objekte, që janë të pajisura me leje ndërtimore, por jo edhe me certifikatë të përdorimit. Mes këtyre objekteve, përveç atyre private e të bizneseve të ndryshme, gjenden edhe shumë objekte shtetërore. Në mesin e tyre është edhe Ministria e Administrimit Publik në Çagllavicë. Disa drejtori të saj, që gjenden në këtë objekt, pavarësisht që posedojnë leje ndërtimore nga Komuna e Prishtinës nuk janë të pajisura me certifikatë të përdorimit.

Përveç këtyre, edhe Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës dhe objekti në të cilën operon kjo qendër nuk ka dëshmi se është objekt i përdorshëm.

Edhe Universiteti i Prishtinës hyn te kjo kategori. Dy objektet e tij, që gjendet në zonën e Universitetit, nuk posedojnë certifikatë të përdorimit. Edhe institucione të vetë Komunës së Prishtinës operojnë në objekte që nuk kanë dëshmi se janë të përdorshme. Një prej tyre është objekti i Drejtorisë së Arsimit në lagjen “Kodra e Trimave”. E njëjta Drejtori, që gjendet në aneksin e shkollës “Faik Konica” në qendër, po ashtu gjendet në objekt që nuk posedon certifikatën në fjalë. Edhe në qendrën e kësaj Drejtorie në Barilevë objekti nuk ka certifikatë të përdorimit.

Në këtë listë hyn edhe objekti i Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë. Edhe ky objekt nuk posedon këtë lloj certifikate.

Këto janë vetëm disa nga institucionet të cilat figurojnë në këtë listë të publikuar nga Komuna e Prishtinës.

Nga këto 690 objekte, 26 janë 5-katëshe, 39 janë 6-katëshe, 60 janë 7-katëshe dhe 43 janë 8-katëshe. Po ashtu figurojnë edhe objekte që janë 19-katëshe, 20-katëshe, 28-katëshe e 31-katëshe, të cilat nuk kanë pranim teknik.

Ahmeti: Lëshimi për banim i këtyre objekteve, i jashtëligjshëm

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), për “Zërin” ka deklaruar se posedimi i pranimit teknik dëshmon që objekti është ndërtuar në bazë të projektit kryesor dhe se është i gatshëm për banim. “Certifikata e përdorimit është një dokument që dëshmon se objekti është përfunduar sipas projektit kryesor dhe fazave të ndërtimit dhe se është i gatshëm për banim. Këto 690 objekte që janë pa certifikatë në të shumtën e rasteve nuk kanë aplikuar për t’u pajisur me leje të përdorimit.

Lëshimi për banim i këtyre objekteve është shkelje e ligjit, sepse nuk janë përmbushur të gjitha procedurat e nevojshme. Këto objekte nuk kanë dëshmi se materiali i cili është përdorur gjatë ndërtimit është sipas standardeve, atesteve dhe protokolleve të parapara në projektin e paraqitur për leje ndërtimore”, ka thënë ai.

Duke folur për rreziqet, Ahmeti tha se të njëjtat objekte në raste të caktuara mund të jenë të rrezikshme, për shkak që investitorë të ndryshëm mund të kenë bërë tejkalim të lejeve ndërtimore, duke i përfshirë edhe mbindërtimet. “Sa u përket rreziqeve, në raste të caktuara mund të jenë të rrezikshme, sepse investitorët e ndryshëm të objekteve mund të kenë bërë edhe tejkalim të lejeve ndërtimore, por edhe mbindërtime, të cilat nuk kana qenë të parapara në projekt. Edhe materiali i cili është përdorur mund të mos jetë i njëjti me atë që e kanë përshkruar në projekt”, ka thënë më tutje njohësi i emergjencave.

Për sa i përket certifikatës së përdorimit Ahmeti theksoi se e njëjta është dëshmi që objekti i është nënshtruar kontrollit nga ekspertët në secilën fazë të ndërtimit. “Certifikata e përdorimit ose leja e përdorimit është dëshmi se objekti i është nënshtruar kontrollit nga ekspertët e secilës fazë të ndërtimit, duke filluar nga statika, që dëshmon stabilitetin e ndërtesës, sistemi elektrik, ai mekanik, ngrohja qendrore, mbrojtja nga zjarri e të tjera. Në momentin që ekspertët japin raportin final pozitiv për secilën fazë të ndërtimit, atëherë organi që e ka pajisur me leje (Komuna) lëshon certifikatën që objekti i plotëson kushtet dhe është i gatshëm për përdorim”, ka pohuar ai.

Edhe sipas arkitektit Arbër Sadiku, sipas ligjit asnjë objekt nuk duhet të pranohet nëse paraprakisht nuk e ka pranimin teknik. “Me ligj asnjë objekt nuk guxon të banohet pa pasur një leje/certifikatë të përdorimit”, ka thënë ai për “Zërin”. Sipas tij, kjo leje dëshmon se objekti është ndërtuar në përputhshmëri me kushtet urbanistike dhe me ato të sigurisë. “Leja e përdorimit nënkupton se objekti është ndërtuar në përputhshmëri me kushtet urbanistike dhe me normat teknike (pra edhe ato të sigurisë), që i parasheh ligji”, ka thënë ndër të tjera Sadiku./ Zëri