Çertifikimin e zgjedhjeve nuk e vonon ankesa e Nismës në Kushtetuese për votat e mërgatës

Çertifikimin e zgjedhjeve nuk e vonon ankesa e Nismës në Kushtetuese për votat e mërgatës

Aktuale November 22, 2019 - 18:16
Detajet

Procesi i fazës së dytë të rinumërimit të votave në QNR po shkon drejt fundit. Megjithatë NISMA e Fatmir Limajt pas pakove me vota nga Serbia për të cilat ishte ankuar në PZAP, është ankuar edhe në Gjykatën Kushtetuese për ato të mërgatës shqiptare të cilat kanë arritur në Kosovë pas 6 tetorit.

Një gjë e tillë ka acaruar dy partitë që do të tentojnë të krijojnë koalicionin, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të vonesave të mundshme që mund të shkaktohen dhe për shkak të ndryshimeve potenciale që mund të ndodhin në numrin e deputetëve. Kjo pasi që vendimi i fundit i Gjykatës Supreme në favor të NISMA-s i ka kushtuar partisë së Albin Kurtit me humbjen e 3 deputetëve.

Arlind Manxhuka nga zyra për media e VV’së ka thënë se përmes këtyre ankesave partia e Fatmir Limajt po  përpiqet që të shpëtojë nga ndëshkimi që ka marrë më 6 tetor nga qytetarët.

Megjithatë njohës të çështjeve kushtetuese thonë se s’ka vend për shqetësim pasi që një ankesë e tillë e NISMA’s në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të pengojë procesin e certifikimit të rezultateve.

Kështu ka thënë për blic, Mazllum Baraliu, i cili ka potencuar se procesi i certifikimit të zgjedhjeve nuk mund të pengohet në asnjë formë nga asnjë palë.

“Jo nuk mund të ketë pengesë për certifikimin e rezultateve, sepse procedurat administrative ligjore, janë procedura që kanë të bëjnë me trajtimin e të gjitha ankesave nga KQZ-ja në PZAP, e pastaj PZAP në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit është instanca e fundit në gjyqësinë e rregullt. Kurse, Gjykata Kushtetuese është e veçantë, në të cilën mund të trajtohen parashtresat dhe kërkesat e trajtuara me Kushtetutë, si shkelja e të drejtave të njeriut. Nga natyra e çështjes, procesi i certifikimit të rezultateve nuk mund të pengohet në asnjë formë, me gjithë respektin për subjektet apo individëve”, ka thënë Baraliu.

Sot ndërkohë dy krerët e partive që pritet ta formojnë qeverinë e re, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë takuar për të diskutuar rreth finalizimit të punës që e kanë bërë grupet punuese.

Të dy pas takimit në një konferencë për media kanë thënë se do të zyrtarizojnë koalicionin menjëherë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta ketë certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

E gjithë tollovia pas 6 tetorit në procesin e numërimit të votave në QNR është shkaktuar si pasojë e një gabimi teknik të lëshuar nga Sekretariati i KQZ’së, që në formularin ku barten votat, kishte mospërputhje në mes të numrit të partive dhe kolonave.