Eksperti i Kushtetutës flet për ankesën e Nismës për votat e ardhura nga diaspora

Eksperti i Kushtetutës flet për ankesën e Nismës për votat e ardhura nga diaspora

Aktuale November 22, 2019 - 17:25
Detajet

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, e ka komentuar ankesën e Nismës Socialdemokrate, bërë në Gjykatën Kushtetuese, për votat e ardhura nga diaspora.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Baraliu e ka bërë të qartë, se certifikimi i zgjedhjeve nuk do të pengohet nga kjo ankesë e partisë së Fatmir Limajt, teksa ka shtuar se nuk është korrekte të tentohet të moslejohet certifikimi i zgjedhjeve për shkak të interesave të ngushta partiake.

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Baraliu po ashtu, ka treguar kohën kur Gjykata Kushtetuese mund të merr vendim për ankesën e Nismës, teksa ka potencuar se përkundër kësaj, certifikimi i zgjedhjeve do të ndodhë shumë shpejt dhe se kjo ankesë nuk do të jetë fare problem.

“Jo nuk mund të ketë pengesë për certifikimin e rezultateteve, sepse procedurat administrative ligjore, janë procedura që kanë të bëjnë me trajtimin e të gjitha ankesave nga KQZ-ja në PZAP, e pastaj PZAP në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit është instanca e fundit në gjyqësinë e rregullt. Kurse, Gjykata Kushtetuese është e vecantë, në të cilën mund të trajtohen parashtresat dhe kërkesat e trajtuara me Kushtetutë, si shkelja e të drejtave të njeriut. Nga natyra e cështjes, procesi i certifikimit të rezultateve nuk mund të pengohet në asnjë formë, me gjithë respektin për subjektet apo individëve”.“Kushtetuesja i ka afatet e veta dhe ato janë të gjata në parim dhe do ta shndrronin të gjithë procesin në pakuptimësi dhe në kundërshtim të vetvetes si proces dhe do ta deligjitimonin procesin elektoral. Kjo nuk duhet të bëhet qoftë për ndonjë interes të lartë, e lërë më për interesa të partive politike”, ka thënë Baraliu.