KQZ-ja e PZAP-i mohojnë se kanë zvarritur certifikimin e rezultateve

KQZ-ja e PZAP-i mohojnë se kanë zvarritur certifikimin e rezultateve

Aktuale November 22, 2019 - 13:19
Detajet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka treguar se vonesa për shpalljen dhe për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit po ndodh për shkak se KQZ-ja është e detyruar t’i zbatojë urdhrat e PZAP-it, të cilët kërkojnë rinumërime të kutive pas ankesave të kandidatëve ose të partive politike, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Ne nuk vendosim për rinumërim, por ne i zbatojmë urdhrat e PAZP-it. Nuk është e KQZ-së forca që i rregullon rezultatet. Me këtë temp që është duke shkuar shpresoj se deri në fund të kësaj jave ose fillimi i javës së ardhshme do të jemi të gatshëm t’i certifikojmë rezultatet. Pra, të jemi të qartë edhe një herë që këto çfarë po ndodhin janë për shkak të procedurave ligjore, të cilat ne jemi të obliguar t’i zbatojmë”, ka deklaruar Daka.

Ndërkaq kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, ka thënë se PZAP-i ka kryer punën e saj si institucion për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat e ardhura. “PZAP-i në zbatim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), në përputhje me këtë ligj ka shqyrtuar dhe ka vendosur për të gjitha ankesat e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, të 6 tetorit 2019. Subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë parashtruar mbi 100 ankesa kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019”, ka thënë ai.

Siç ka thënë ai, PZAP-i ka vlerësuar se për shkak të parregullsive të shkaktuara nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve në vendvotime gjatë numërimit të fletëvotimeve dhe të plotësimit të formularëve të përputhjes së të dhënave dhe të rezultateve, për të cilat ka disponuar prova të mjaftueshme, duke u bazuar në LZP ka vendosur të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Ai ka thënë se PZAP-i duke kërkuar që të përmirësohen të gjitha gabimet nuk e prolongon certifikimin e rezultateve përfundimtare. “PZAP-i duke e zbatuar LZP-në, si dhe duke e kërkuar e duke vendosur për t’i përmirësuar shkeljet zgjedhore të evidentuara gjatë zgjedhjeve nuk e prolongon procesin zgjedhor e as certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve”, ka thënë Desku.