BQK-ja s’tërhiqet nga shtrenjtimi i sigurimit të automjeteve 26,6 për qind
Foto: Laura Hasani

BQK-ja s’tërhiqet nga shtrenjtimi i sigurimit të automjeteve 26,6 për qind

Aktuale nëntor 22, 2019 - 08:18
Detajet
Image

Banka Qendrore e Kosovës nuk është tërhequr nga vendimi i marrë më 1 nëntor për shtrenjtimin e tarifës së sigurimit të automjeteve. Derisa nga BQK-ja janë shprehur se vendimi i marrë është i bazuar në legjislacionin e vendit, qytetarët nuk janë pajtuar me të. Nga dita e nesërme do të fillojnë protestat kundër këtij vendimi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur të mos e anulojë vendimin që ka marrë për rritjen e tarifës në 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve, pavarësisht reagimeve të shumta që ka pasur e po ashtu edhe të protestave që janë paralajmëruar.

Me vendimin e marrë në fillim të këtij muaji për shtrenjtimin e tarifës i bie që primi për sigurimin e veturës 1.8 centimetër kub që ka qenë 130 euro do të jetë 164,62 euro, pra 34.62 euro më shumë.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, gjatë ditës së djeshme ka thënë para medieve se ata kanë vepruar në bazë të legjislacionit në fuqi. Ai ka thënë se vendimin e kanë marrë duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). "Bordi ekzekutiv ka marrë një vendim për tarifat e sigurimeve. Ne po atë ditë kemi lëshuar edhe një komunikatë, në të cilën jemi munduar t’i tregojmë në detaje arsyet. Ne për qëllim e kemi të mbrojmë depozitarët e policëmbajtësit. Banka Qendrore ka vepruar në bazë te legjislacionit në fuqi. Çmimet aktuale të sigurimit kanë mbetur pa u ndryshuar nga viti 2001 edhe pse është kërkesë ligjore që çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave", ka thënë ai.

Mehmeti ka theksuar se ata kanë pasur kërkesa që tarifat të rriten për 36 për qind, por që i kanë refuzuar ato. Ai ka thënë tutje se kompanitë e sigurimeve paguajnë edhe për aksidentet që shkaktohen në Shqipëri nga veturat e regjistruara në Kosovë. "Me rishikimin e tarifave ne e kemi shmangur një shkelje ligjore. E gjithë kjo me qëllimin më të mirë që sektori i sigurimeve të ketë një qëndrim financiar. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga kompanitë e sigurimeve që kanë kërkuar që tarifa të rritet për 36 për qind. Ne e kemi refuzuar atë. Në vitin 2001 nuk kemi pasur obligime për automjetet që aksidentohen në Shqipëri. Tani dëmet që shkaktohen në Shqipëri paguhen këtu", ka shtuar ai.

Për shkak të pakënaqësive për vendimin e marr nga BKQ-ja, nga dita e sotme anëtarët e grupit “Maniakë të kerreve” do të mbajnë një protestë njëorëshe. Anëtarët të këtij grupi kanë thënë për gazetën se nuk do t’i ndalin protestat derisa të anulohet vendimi i BQK-së. Ndërsa edhe anëtarët e grupit “Speedomaniaks” do të protestojnë gjatë ditës së nesërme.

Mehmeti: Nëse është nevoja do të angazhojmë një kompani të huaj për rishikim të çmimeve

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, gjatë ditës së djeshme po ashtu ka thënë se nëse është e nevojshme do të angazhojnë një kompani ndërkombëtare për vlerësimin e tarifave të automjeteve. “Vendimi është marrë. Ne jemi të hapur për të gjitha opsionet në rast se vlerësohet nevoja të angazhohet një kompani ndërkombëtare për vlerësim”, ka thënë ai.

Ndërsa zëvendësguvernatori, Sokol Havolli, ka thënë se përqindja prej 26,6 % nuk është shkelje ligjore dhe se BQK-ja ka kompetenca të përcaktojë tarifa. Ai po ashtu ka thënë se kanë marrë masa edhe ndaj kompanive të sigurimeve, në mënyrë që edhe ato t’i kryejnë obligimet ndaj qytetarëve. "BQK-ja është në proces të marrjes së një sërë vendimesh. Masa e parë është të kapitalizohet industria e sigurimeve. Ne gjatë këtij viti kemi revokuar një licencë dhe nuk do të hezitojmë të revokojmë edhe licenca tjera. Ne i kemi dhënë ultimatum kompanive të sigurimeve që të zbatojnë plotësisht Rregulloren për Shpenzime. Qëllimi ynë është të arrijmë të kemi një sektor të shëndetshëm të sigurimeve dhe esenca e këtyre masave është që kompanitë t’i mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve dhe të mos u mbesin borxh", është shprehur ai.

Rritja e tarifave e papranueshme, thirrje për protestë

Vendimi për rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve ka qenë i papranueshëm për njohësin e çështjeve të ekonomisë në vend Mustafë Kadriun. Ai ka thënë për “Zërin” se duke e parë nivelin e mirëqenies në vend një vendim i tillë është i papranueshëm. “Me nivelin e keqqeverisjes që ka ndodhur deri më tani për fat jo të mirë tani çdo gjë mund të ndodhë te ne. Si rezultat Qeveria dhe kryeministri në ikje për të mbuluar deficitin buxhetor po marrin një vendim sa arbitrar, po aq johuman duke ditur nivelin e mirëqenies në vend ku çdo i dyti i ri tenton të largohet në mungesë të perspektivës”, ka thënë ai.

Kadriu ka bërë thirrje për protesta në mënyrë që vendimi i marrë nga BQK-ja të anulohet. “Me këtë theksoi se kjo rritje e tarifës për automjete është e papranueshme dhe u bëj thirrje për protestë që ky vendim të kthehet mbrapa, sepse ky qytetar ka dhënë mjaftueshëm si në çlirim dhe në shtetëndërtim”, ka theksuar ai.

Tarifat deri më tani kanë qenë të larta në raport me mundësitë e qytetarëve

Rritja e tarifës së sigurimit të automjeteve do të jetë ngarkesë për qytetarët. Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve të ekonomisë, Musa Limani, i cili ka thënë se edhe deri më tani tarifat për sigurimin e automjeteve kanë qenë shumë të larta në raport me nivelin e pagave dhe me mundësitë materiale të qytetarëve. “Edhe kjo rritje nëse realizohet do të jetë subngarkesë për qytetarët. Mendoj se duke pasur parasysh gjendjen sociale, përkatësisht papunësinë enorme në Kosovë, kjo ngarkesë tarifore për sigurimin e automjeteve është e pajustifikueshme nga aspekti ekonomiko-social, në të cilën gjendet popullata e Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Limani është shprehur se kompanitë e sigurimeve duhet të gjejnë forma të tjera se s’i t’i mbulojnë shpenzimet e mëdha nga aksidentet. “Ato mbulimin e shpenzimeve nuk mund ta bëjnë në disfavor të qytetarëve. Kompanitë e sigurimeve duhet të kërkojnë mënyrë dhe formë tjetër për t'u mbuluar me shpenzime nga aksidentet në komunikacion. Cilado të jetë ajo formë, ata duhet ta analizojnë dhe të gjejnë mënyrën adekuate lidhur me kompensimin e lartë të këtyre shpenzimeve, por assesi në shpinë të popullatës”, ka deklaruar ai./ZËRI