KQZ-ja dhe PZAP-i, fajtorë për zvarritjen e certifikimit të rezultateve
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja dhe PZAP-i, fajtorë për zvarritjen e certifikimit të rezultateve

Aktuale November 22, 2019 - 08:06
Detajet
Image
\

Janë bërë gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por certifikimi i rezultateve akoma nuk ka ndodhur. Njohësit e çështjeve politike fajësojnë KQZ-në dhe PZAP-in për këtë zvarritje. Në anën tjetër, të dyja këto institucione për gazetën kanë mohuar se janë fajtore për prolongimin e procesit zgjedhor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse janë bërë gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka bërë certifikimin e rezultateve. Mirëpo KQZ-ja thotë se nuk është fajtor për zvarritjen që i është bërë procesit zgjedhor. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, KQZ-ja është detyruar t’i zbatojë urdhrat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërime pas ankesave të partive politike. Ndërkohë, zyrtarë të PZAP-it për gazetën “Zëri” kanë thënë se vendimi i tyre për t’i përmirësuar të gjitha gabimet eventuale nuk e prolongon procesin zgjedhor. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se si KQZ-ja, ashtu edhe PZAP-i janë fajtorë pse ende nuk kemi rezultate të certifikuara. Ata thonë se KQZ-ja është dashur të kërkojë rinumërim të tërësishëm të vendvotimeve në Kosovë atëherë kur është parë se ka gabime në fletëvotime. Ndërkohë PZAP-i, siç thonë ata, ka gabuar pasi ka vendosur që rinumërimi i vendvotimeve të bëhet pjesë-pjesë dhe jobashkërisht për një kohë të caktuar. Megjithëkëtë, nga KQZ-ja gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se rinumërimi mund të përfundojë të dielën, shkruan tutje "Zëri".

KQZ-ja e PZAP-i mohojnë se kanë zvarritur certifikimin e rezultateve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka treguar se vonesa për shpalljen dhe për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit po ndodh për shkak se KQZ-ja është e detyruar t’i zbatojë urdhrat e PZAP-it, të cilët kërkojnë rinumërime të kutive pas ankesave të kandidatëve ose të partive politike. “Ne nuk vendosim për rinumërim, por ne i zbatojmë urdhrat e PAZP-it. Nuk është e KQZ-së forca që i rregullon rezultatet. Me këtë temp që është duke shkuar shpresoj se deri në fund të kësaj jave ose fillimi i javës së ardhshme do të jemi të gatshëm t’i certifikojmë rezultatet. Pra, të jemi të qartë edhe një herë që këto çfarë po ndodhin janë për shkak të procedurave ligjore, të cilat ne jemi të obliguar t’i zbatojmë”, ka deklaruar Daka.

Ndërkaq kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, ka thënë se PZAP-i ka kryer punën e saj si institucion për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat e ardhura. “PZAP-i në zbatim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), në përputhje me këtë ligj ka shqyrtuar dhe ka vendosur për të gjitha ankesat e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, të 6 tetorit 2019. Subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë parashtruar mbi 100 ankesa kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019”, ka thënë ai.

Siç ka thënë ai, PZAP-i ka vlerësuar se për shkak të parregullsive të shkaktuara nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve në vendvotime gjatë numërimit të fletëvotimeve dhe të plotësimit të formularëve të përputhjes së të dhënave dhe të rezultateve, për të cilat ka disponuar prova të mjaftueshme, duke u bazuar në LZP ka vendosur të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Ai ka thënë se PZAP-i duke kërkuar që të përmirësohen të gjitha gabimet nuk e prolongon certifikimin e rezultateve përfundimtare. “PZAP-i duke e zbatuar LZP-në, si dhe duke e kërkuar e duke vendosur për t’i përmirësuar shkeljet zgjedhore të evidentuara gjatë zgjedhjeve nuk e prolongon procesin zgjedhor e as certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve”, ka thënë Desku.

PZAP-i e KQZ-ja, të dyja fajtore për zvarritjen

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare“Çohu”, konsideron që e gjithë zvarritja që i është bërë procesit zgjedhor ka mundur të shmanget nëse KQZ-ja do të kishte kërkuar qysh në fillim që të rinumërohen të gjitha vendvotimet kur është parë se ka gabime. “Qysh në fillim kur është parë se ka mospërputhje teknike ose çfarëdo qofshin të formularëve dhe të votave, që kanë ardhur, është dashur edhe nga QNR-ja, edhe nga KQZ-ja të kërkohet që të rinumërohen komplet vendvotimet në Kosovë. Po të kishte shkuar kështu ky proces tashmë do ta kishim të përfunduar dhe do të ishin certifikuar e edhe institucionet ishin formuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Demhasaj po ashtu ka thënë se aq sa është fajtore KQZ-ja, po aq është edhe PZAP-i pasi ka vendosur që pjesë-pjesë në rinumërohen vendvotimet, gjë që ka shkaktuar zvarritje. “Faji është edhe te KQZ-ja që s’e ka marrë një vendim të tillë me kohë, por edhe PZAP-i, sepse vazhdimisht ankesat që janë ngritur nga partitë politike ka vendosur që pjesë të caktuara të vendvotimeve të rinumërohen e nuk ka vendosur që bashkërisht për një kohë të rinumërohen, gjë që ka shkaktuar një zvarritje të gjithë këtij procesi”, është shprehur ai.

Rinumërimi mund të përfundojë të dielën

Në Qendrën e Rinumërimit dhe të Rezultateve (QNR) deri më tani janë rinumëruar 969 vendvotime ose në përqindje 68,87. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i rinumërimit të votave mund të përfundojë të dielën. “Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve, për të cilat ka vendosur PZAP-i”.

Ai ka treguar se mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit e deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime. “Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit e deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime”.

Rinumërimin e votave e ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke u bazuar në ankesat e partive politike ndaj rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shkruan tutje "Zëri".

Komisionarët e Vetëvendosjes përplasen me ata të Nismës

Zyra për Medie e Lëvizjes Vetëvendosje ka konfirmuar se gjatë ditës së djeshme në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka pasur një përplasje verbale në mes të komisionarëve të partisë së Albin Kurtit dhe të partisë së Fatmir Limajt. Në përgjigje thuhet se ka pasur reagime nga vëzhguesit e Nismës, të cilët më pas janë shoqëruar edhe me reagime nga komisionarët e LVV-së, megjithatë gjithçka në suaza të një përplasjeje verbale është tejkaluar. “Ka pasur një provokim nga ana e vëzhguesit të Nismës, me ç’rast vëzhguesit tanë kanë reaguar, por nuk ka pasur asgjë më shumë sesa një përplasje verbale, e cila është tejkaluar”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.

Tensionet në mes të Nismës dhe të LVV-së janë rritur qëkur Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e tre kandidatëve të LVV-së për deputetë për votat e ardhura nga Serbia. PZAP-i kishte marrë vendim që ato vota të hiqeshin nga rezultati përfundimtar, gjë që rezultonte me hyrjen e Nismës në Kuvend dhe me humbjen e 3 deputetëve për Lëvizjen Vetëvendosje./ZËRI