Personat që prokuroria i cilësoi “veteranë të rrejshëm”, të ftuar nga Specialja

Personat që prokuroria i cilësoi “veteranë të rrejshëm”, të ftuar nga Specialja

Aktuale November 19, 2019 - 20:46
Detajet

Dhjetori duket se do të jetë muaji ku do të marrin epilog hetimet e bëra nga Specialja për ish-funksionarët e UÇK-së ndaj të cilëve ka pretendime për kryerjen e krimeve të luftës.

Zyrtarë të Prokurorisë së Hagës madje kanë nisur marrjen e pasaportave të të dyshuarve që me shumë gjasë ndaj tyre pritet të ketë aktakuzë, shkruan lajmi.net.

Në listën e atyre që do të përballen me hetuesit e Hagës, janë edhe ish-ushtarë të UÇK-së që nga Prokuroria e Kosovës ishin futur në listën e veteranëve të rrejshëm.

Lajmi.net ka gjetur të paktën tre emra që u ftuan nga Prokurorët e Speciales në Hagë, e që të njëjtit paraprakisht ishin futur në listën e veteranëve të rrejshëm.

Njëra ndër ta është edhe Time Kadriaj, e cila më 18 shtator ishte paraqitur para zyreve të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Ajo, nga ish-prokurori i rastit “Veteranët”, Elez Blakaj ishte futur në listën e veteranëve të rrejshëm, ani pse për të ka dëshmi të qarta për funksionin e mjekes së luftës të cilën ajo e kishte ushtruar edhe në betejën e Koshares.

Njëri ndër të ftuarit e Speciales që e kishte gjetur veten në listën e veteranëve të rrejshëm është edhe Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”.

Shala që i përkiste zonës së Pashtrikut fillimisht kishte refuzuar që t’i përgjigjet ftesës së Speciales duke u arratisur nga shtëpia e tij, mirëpo më pas ishte dorëzuar.

Ndër të fundit që ka marrë ftesë nga Specialja është edhe Nevzat Kryeziu nga Rahoveci.

Edhe Kryeziu, figuron në listën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për veteranët e rrejshëm.

Kujtojmë se lajmi.net kishte publikuar ekskluzivisht listën me të gjithë emrat e që Prokuroria kishte cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione si veteranë të UÇK-së.

Po ashtu, lajmi.net kishte raportuar se Prokuroria, në aktakuzën e re e të përmirësuar që e kishte dorëzuar në Gjykatë pas dorëheqjes së ish-prokurorit Elez Blakaj, kishte hequr nga lista rreth 738 emra.