LDK-ja ia lë në dorë LVV-së koalicionin potencial me Nismën

LDK-ja ia lë në dorë LVV-së koalicionin potencial me Nismën

Aktuale November 18, 2019 - 12:48
Lexoni detajet!

Dy partitë që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të pranojnë ta formojnë qeverinë e re me asnjërën nga partitë që kanë keqqeverisur në mandatin e kaluar, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me Nismën dhe me AKR-në. Kësisoj, sipas analistëve vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, shkruan Gazeta "Zëri".

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, për “Zërin” ka thënë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të vendosë nëse koalicioni Nisma – AKR do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme ose jo. Mirëpo ajo ka thënë po ashtu se për ta ditur epilogun e zhvillimeve duhet pritur certifikimi i rezultateve zgjedhore.

“Ende nuk është përmbyllur procesi zgjedhor dhe ne nuk mund të spekulojmë mbi atë se çka do të ndodhë në fund. Së dyti, LDK-ja sipas të gjitha gjasave do të dalë si subjekti i dytë, ndërsa Vetëvendosja fituese e zgjedhjeve e nëse e kemi këtë pasqyrë, atëherë pikërisht LVV-ja do ta ketë primatin ta lidhë koalicionin qeverisës. Kurse sa i përket Nismës dhe pjesëmarrjes së saj në koalicion, kjo gjë varet nga LVV-ja”, ka thënë ajo për "Zërin".

Rrjedhimisht Gaxherri ka theksuar se nëse Vetëvendosja ia paraqet LDK-së faktet e nevojshme se Nisma e AKR-ja duhet të jenë pjesë e qeverisë së re, atëherë LDK-ja do ta pranojë këtë gjë.

“Në qoftë se LVV-ja bisedon me LDK-në dhe i tregon argumentet se pse duhet ta marrin edhe Nismën, unë mendoj se pajtohet edhe LDK-ja, por në këtë rast LVV-ja është ajo që vendos se cilat subjekte politike i hyjnë në punë për ta pasur numrin e mjaftueshëm në koalicion”, ka shtuar tutje ajo.

Pavarësisht kësaj, ish-deputetja ka theksuar se assesi LDK-ja e LVV-ja nuk do të lejojnë që formimi i qeverisë së re të jetë pjesë e pazareve të partive ose të individëve të caktuar.

“Koalicioni LDK - LVV i ka ngritur shumë parime për harmonizimin e programit dhe kjo nënkupton se do të jetë një qeveri ndryshe. Në këtë koalicion nuk do të ketë pazare për individë të caktuar, siç kemi pasur në të kaluarën, që me një deputet ka pasur 1 ose 2 ministri. Pavarësisht nëse LVV-ja a do të bëjë bisedime edhe me Nismën, unë nuk besoj se do të ketë pazare të tilla. LDK-ja dhe LVV-ja së bashku me minoritet e tjera, pa Listën Serbe, i kanë mjaftueshëm votat, kështu që nuk besoj se duhet të bëhet koalicion për të bërë pazare me poste politike”, ka deklaruar ajo. /ZERI