QKUK: Ditëve në vijim do të punohet me intensitet më të ulët

QKUK: Ditëve në vijim do të punohet me intensitet më të ulët

Aktuale November 18, 2019 - 11:58
Lexoni detajet!

Qe dy javë në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë anuluar të gjitha operacionet jourgjente, për shkak se dy reparte janë mbyllur. Këto reparte pritet të jenë jashtë funksionit deri në fund të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Edhe nga zyra për informim në QKUK është konfirmuar mbyllja e dy sallave në Klinikën e Ortopedisë. Nga kjo zyre i është thënë “Zërit” se puna në këtë klinikë ditëve në vijim do të vazhdojë me një intensitet më të ulët.

“QKUK-ja informon opinionin se për shkak të nevojës për renovim dhe në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar kanë vendosur të mbyllin përkohësisht 2 nga 4 sallat aktuale në Klinikën e Ortopedisë. Në sallat në fjalë janë paraqitur shenja të lagështisë. Ekipet e mirëmbajtjes së QKUK-së janë duke u marrë me sanimin e problemit. Puna në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë do të vazhdojë në ditët në vijim me një intensitet më të ulët”, ka thënë ajo për "Zërin".

Për shkak të vjetërsisë së objektit të Ortopedisë nga QKUK-ja është thënë se ka filluar ndërtimi i aneksit të ri modern të kësaj klinike.

“Si rezultat i vjetërsisë së objektit ekzistues dhe pamundësisë së evitimit përfundimtar të problemeve të lartpërmendura, QKUK-ja ka filluar ndërtimin e aneksit të ri modern të Klinikës së Ortopedisë, në të cilin janë planifikuar edhe sallat moderne me hapësira përcjellëse”, është thënë për gazetën. /ZERI