Thaçi flet për 'Fenë si instrument të paqes' në Tiranë

Thaçi flet për 'Fenë si instrument të paqes' në Tiranë

Aktuale November 18, 2019 - 11:49
Lexoni detajet!

Presidenti Thaçi dhe presidenti Meta, bashkë me kryeparlamentarët Talat Xhaferi dhe Gramoz Ruçi, si përfaqësuesin e DASH-it, Sam Broënback, sot në konferencën “Feja si instrument i paqes” në Tiranë, kanë folur për rëndësinë e forcimit të paqes përmes harmonisë ndërfetare.

Në këtë konferencë, presidenti Thaçi ka thënë se toleranca në mes nesh, sikur bëhet fjalë për besimin tonë në Zot, si në besimin tonë në njeriun, është vlerë pa të cilën nuk mund të ketë paqe në një shoqëri njerëzore.

“Është një nocion që është i domosdoshëm kur trajtohen dukuritë e fesë dhe paqes, i cili është një vlerë e përbashkët e tyre. Kur ky nocion, ky fenomen mungon, gjithçka mëdyshet në një shoqëri njerëzore dhe rrezikohen me themel edhe vetë dukuritë e fesë dhe të paqes dhe ndërlidhja në mes tyre. Në atë rast, gjithçka mund të kontestohet, të kthehet mbrapsht, të përmbyset. Në radhë të parë humbet siguria dhe stabiliteti, ndërsa pa të nuk ka liri njerëzore, nuk ka organizim të shoqërisë njerëzore dhe gjithçka vihet në pikëpyetje”, ka thënë fillimisht presidenti.

Ai ka vazhduar tutje të thotë se nocioni dhe dukuria si vlerë e përbashkët për fenë dhe paqen është toleranca.

“Toleranca në mes nesh, si kur bëhet fjalë për besimin tonë në Zot, si në besimin tonë në njeriun, është vlerë pa të cilën nuk mund të ketë paqe në një shoqëri njerëzore. Siç e dimë të gjithë ne që jemi mbledhur sot në Tiranë, vitet e fundit në historinë e njerëzimit pothuajse anekënd botës janë karakterizuar me një shpërthim të mosdurimit, të jotolerancës së të gjitha formave të mundshme politike dhe fetare, si dhe me një mungesë të madhe të gatishmërisë për të kuptuar njeri-tjetrin, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, politike, racore dhe për ta pranuar tjetrin, që vetëm në shikim të parë është një i huaj”, ka vazhduar tutje Thaçi duke thënë se ne të gjithë jemi para Zotit të njëjtë.

Presidenti Thaçi në fjalimin e tij, thotë se ata që nuk mendojnë që të gjithë njerëzit janë të njëjtë dhe të barabartë, sipas tij, ata nuk mund të jenë besimtarë të mirëfilltë dhe ata janë kundërshtarë të mëdhenj të paqes.

“Të tillët e rrezikojnë paqen në emër të një feje që nuk ka gjë të përbashkët me librat e shenjtë dhe me besimin e mirëfilltë në Zot. Shqiptarët janë të besimit islam dhe të krishterë, janë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, me siguri ka të tillë që janë edhe ateistë. Por, e tëra kjo shumësi identitetesh në raportin tonë ndaj Zotit ka bashkëjetuar në një tolerancë dhe mirëkuptim, që janë vlera tradicionale ndër ne”, ka pohuar ai.

Ndërsa Thaçi, ka folur edhe për përvojën e Kosovës me fenë dhe paqen, duke i radhitur disa të arritura që ka bërë Kosova në këtë aspekt.

“E arritura e parë është që nuk kemi lejuar që në luftën e Kosovës për liri e pavarësi të implikohet feja. Pra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka lejuar asnjë ideologji fetare të bëhet pjesë e luftës së saj. Kështu kemi vazhduar traditën e Kosovës, ku asnjëherë nuk kemi pasur konflikt ndërfetar. Madje, gjatë viteve të luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka lejuar që të preket asnjë objekt fetar apo i kultit, i cilitdo religjion që të ketë qenë. E dyta, Kosova ka përfshirë fenë, liderët fetarë, në përpjekjet për të ndërtuar paqe e mirëkuptim në mes njerëzve, që nga përfundimi i luftës. E treta, udhëheqësit fetarë në Kosovë kanë ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi në mes tyre”, ka thënë ai.

Ai ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se toleranca në mes nesh është vlera pa të cilën nuk mund ta ndërtojmë shoqërinë që është në paqe me veten dhe me Zotin./Insajderi