Rreziku nga zgjedhjet e reja dhe nga faktorizimi i Nismës e i AKR-së

Rreziku nga zgjedhjet e reja dhe nga faktorizimi i Nismës e i AKR-së

Aktuale November 18, 2019 - 10:39
Lexoni detajet!

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të pranojnë të bashkëqeverisin me koalicionin Nisma – AKR, ndonëse pikërisht këto subjekte mund t’ua rrëmbejnë dy partive fituese të zgjedhjeve 4 deputetë. Të paktën kështu kanë deklaruar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thonë se nuk do të ftojnë për bashkëpunim rreth formimit të qeverisë së re asnjë parti, e cila ka keqqeverisur në mandatin e kaluar, pavarësisht rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër nga koalicioni Nisma – AKR janë shprehur se nuk kanë interes të bëhen pjesë e qeverisë së re, mirëpo ata kanë theksuar se për të vendosur përfundimisht për këtë çështje duhet pritur certifikimi i rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja. 

Pavarësisht se ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, vendi rrezikon që përsëri të shkojë në zgjedhje. Analisti i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se është e vështirë të formohet qeveria e re nga Vetëvendosja dhe nga LDK-ja.

Sipas tij, Nisma do të jetë e nevojshme për funksionimin e Qeverisë.

“Me anulimin e votave që kanë ardhur nga Serbia, Nisma është bërë parti parlamentare. Mirëpo tani ajo ka hyrë në rinumërim. Rinumërimi i votave mundet të mos i japë fitore Nismës. Nëse i jep fitore, atëherë qeverisja duhet të bëhet me tri parti për t’u bërë 61 vota. Vetëm Vetëvendosja me LDK-në nuk i kanë votat e mjaftueshme. Atyre u nevojiten edhe 6 vota të Nismës. Tani është problem të bëhet qeveria e re dhe ndoshta shkon vendi në zgjedhje. Me 12 ministri problem e kanë që ta fitojnë shumicën”, ka thënë ai.

Përveç koalicionit me LDK-në, Vetëvendosja synon të lidhë koalicion edhe me minoritetet në vend, të cilat do t’ia sigurojnë asaj 10 vota në Kuvendin e Kosovës. Tahiri ka vlerësuar se edhe me votat e komuniteteve qeverisja Vetëvendosje - LDK nuk do të jetë e qëndrueshme.

“Përveç te qeverisja e Ramush Haradinajt, komunitetet nuk kanë qenë asnjëherë ata që i bëjnë numrat. Komunitetet votojnë pro, por nuk është se prej tyre varen votat. Tani Vetëvendosja nuk e ka Qeverinë shumë të suksesshme nëse e bën me LDK-në dhe me 10 minoritetet. Numrat formalisht i ka, por faktikisht nuk duket shumë Qeveri e qëndrueshme, e cila mund ta realizojë programin e Vetëvendosjes dhe gjasat janë që Vetëvendosja ta dërgojë edhe një herë vendin në zgjedhje për ta pasur fitoren e pastër herën e dytë”, ka shtuar ai. /ZERI