Dushi: Reforma zgjedhore ndalon abuzimin me procesin zgjedhor

Dushi: Reforma zgjedhore ndalon abuzimin me procesin zgjedhor

Aktuale November 18, 2019 - 09:35
Lexoni detajet!

Subjekteve politike po u mungon vullneti për ta finalizuar reformën zgjedhore, e cila është nisur tetë vjet më parë. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se me legjislacionin në fuqi partitë kanë më shumë gjasa të manipulojnë me procesin zgjedhor, shkruan Gazeta "Zëri".

Edhe ish përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, është shprehur për “Zërin” se pengesa kryesore e përmbylljes së reformës zgjedhore është mungesa e vullnetit politik te një pjesë e partive.

Ai thotë se LDK-ja ka qenë pro formimit të një reforme zgjedhore që nga viti 2010.

“Në mungesë të një reforme zgjedhore ne kemi një proces të këtillë me të cilin po manipulojnë segmente të caktuara në nivel më të ulët, të cilat e kanë perfeksionuar manipulimin ose abuzimin. Kjo gjë pastaj po shkakton tejzgjatje të procesit për ta korrektuar atë. Kështu që, është mirë që pas këtyre zgjedhjeve të kemi një proces me një reformë zgjedhore”, ka deklaruar Dushi për "Zërin".

Ai ka përmendur disa nga problemet kyçe, të cilat do të evitoheshin me reformë zgjedhore.

“Problemi kyç është ai në terren në ditën e votimit. Ata të cilët nominohen nga subjektet politike në ditën e zgjedhjeve praktikisht nuk e kryejnë punën në përputhje me ligjin, fjala është kryesisht te numërimi, përshkrimi i rezultateve, mënyra e votimit e shumëçka tjetër. Me një reformë zgjedhore besoj se do të mundë të mënjanoheshin këto probleme”, ka potencuar Dushi. /ZERI