S’ka afat për ndalim-qarkullimin e veturave që lirojnë gazra jashtë normave

S’ka afat për ndalim-qarkullimin e veturave që lirojnë gazra jashtë normave

Aktuale November 18, 2019 - 08:06
Lexoni detajet!
Image

Ministria e Infrastrukturës ka thënë se Departamenti i Automjeteve është në fazën provuese të matjes së gazrave të liruara nga automjetet. Ministri në largim, Pal Lekaj, nuk ka treguar se kur saktësisht do të ndodhë ndalim-qarkullimi i veturave që lirojnë gazra jashtë normave, ndonëse ka thënë se ky dikaster është në fazën e nxjerrjes së vendimit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ani pse tash e disa muaj është nxjerrë një Udhëzim Administrativ, sipas të cilit veturat gjatë kontrollit teknik obligohen ta bëjnë matjen e gazrave që lirojnë, ende nuk dihet saktë se kur pritet të ndodhë ndalim-qarkullimi i veturave që shkarkojnë gazra jashtë normave të lejuara.

LEXO EDHE: Ortopedia - klinika e mykut dhe e minjve, anulohen operacionet për 1 muaj

Nga Ministria e Infrastrukturës i kanë thënë gazetës se Departamenti i Automjeteve, i cili gjendet në kuadër të këtij dikasteri, ende është në fazën provuese të matjes së gazrave.

Pas fillimit të matjes së gazrave të emetuara nga veturat, siç kanë thënë nga kjo Ministri, automjetet që nuk i plotësojnë parametrat e përcaktuara në bazë të Udhëzimit Administrativ do të refuzohen dhe nuk mund të regjistrohen për të qarkulluar në trafikun rrugor.

Në anën tjetër, nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë thënë se ky Udhëzim Administrativ ka qenë dashur të hyjë në fuqi qysh në fillim të 2019-s.

Udhëzimi që ishte planifikuar të hynte në fuqi më 1 shkurt

Ministri i Mjedisit në largim, Fatmir Matoshi, ka thënë se Udhëzimi Administrativ për Matjen e Lirimit të Gazrave të Veturave është dashur të hyjë në fuqi në fillim të këtij viti.

“Ne kemi punuar për një udhëzim administrativ bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës për matjen e emetimit të gazrave në kontrollin teknik. Ky udhëzim administrativ është dashur të hyjë në fuqi më 1 shkurt, por ministri Lekaj ka vendosur ta shtyjë deri më 1 qershor, me kërkesë të pronarëve të kontrolleve teknike se gjoja nuk kanë qenë të gatshëm ende ta zbatojnë këtë dhe prej datës 1 qershor ka hyrë në fuqi”, ka deklaruar ai.

Por Matoshi ka thënë se disa muaj kanë qenë si muaj testues sa i përket matjes së emetimit të gazrave, rrjedhimisht nuk kanë qenë të obligueshëm. “Ka pasur një periudhë provuese prej 2-3 muajsh, si testuese, nuk ka qenë shumë obligative”, është shprehur ai.

ministri i Infrastrukturës në largim, Pal Lekaj, ka thënë se Departamenti i Automjeteve është në etapën provuese të matjes së gazrave dhe se Ministria është në fazën e nxjerrjes së vendimit rreth kësaj çështjeje.

“Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit - Departamenti i Automjeteve është në fazën provuese të matjes së gazrave. Jemi në fazën e nxjerrjes së vendimit për matjen e gazrave”, ka deklaruar Lekaj për “Zërin”.

Me këtë rast ai ka njoftuar se tashmë është formuar komisioni, porse ende nuk është marrë një vendim final lidhur me çështjen në fjalë.

“Është formuar komisioni i përbashkët me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor dhe me Ministrinë e Financave. Pas fillimit të matjes së gazrave automjetet që nuk i plotësojnë parametrat e përcaktuara në bazë të Udhëzimit Administrativ 01/2018 do të refuzohen dhe nuk mund të regjistrohen për të qarkulluar në trafikun rrugor”, ka theksuar ai.

I pyetur se kur pritet të ndalohet qarkullimi i veturave që shkarkojnë gazra jashtë normave të lejuara, Lekaj duke mos dhënë një datë rreth kësaj, ka thënë se një gjë e tillë varet nga puna e komisionit të lartcekur.

Lirimi i gazrave të dëmshme nga automjetet sipas ekspertëve të fushës së pulmologjisë ndikon negativisht në organizmin e njeriut.

“Gazrat e dëmshme që hidhen prej veturave të ndryshme janë tepër të dëmshme për organizmin e njeriut”, është shprehur Bahri Thaçi, pulmolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Efektet negative që shkaktojnë veturat në mjedis

Në fillim të këtij viti janë bërë ndryshimet e Ligjit për Automjete, me ç’rast është thënë se në Kosovë nuk mund të importohen vetura të cilat janë më të vjetra se dhjetë vjet.

Gjersa ka folur rreth kësaj ministri në largim, Fatmir Matoshi, ka thënë se veturat e vjetra e dëmtojnë ambientin. Heqja e kufizimit për importin e veturave të vjetra siç ishte propozuar nga disa ish-deputetë, sipas tij, do të kishte efekt tejet më të madh në ndotje.

“Edhe ato e dëmtojnë ambientin, por ka edhe vetura të reja që teknikisht nuk janë në rregull dhe e dëmtojnë edhe më tepër. Ne jemi përballur shumë me kërkesat që kanë qenë në Kuvend për ta hequr vjetërsinë si kusht për t’i zhdoganuar veturat dhe na vjen mirë që kjo nuk ka ndodhur. Kjo do të kishte një efekt bukur më të madh në ndotje”, ka shtuar ai.

Përveç këtyre, në mënyrë që ambienti të kurset nga ndotja, sipas Fatmir Matoshit, trafiku urban duhet ta ketë një mbështetje më të madhe në mënyrë që sa më pak të përdoren veturat gjatë stinës së dimrit.