Ortopedia - klinika e mykut dhe e minjve, anulohen operacionet për 1 muaj

Ortopedia - klinika e mykut dhe e minjve, anulohen operacionet për 1 muaj

Aktuale November 18, 2019 - 08:04
Lexoni detajet!
Image

Qe dy javë në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë anuluar të gjitha operacionet jourgjente, për shkak se dy reparte janë mbyllur. Këto reparte pritet të jenë jashtë funksionit deri në fund të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjendja jo e mirë e sallave në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji në QKUK, shfaqja e minjve, e lagështia kanë shtyrë Inspektoratin Sanitar t’i mbyllë dy reparte të kësaj klinike.

LEXO EDHE: Partitë, pa vullnet për ta bërë reformën zgjedhore

Qe gati dy javë pacientët, të cilët kanë pasur për t’u nënshtruar operacioneve në këtë klinikë, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë.

Të gjitha rastet joemergjente për intervenim janë anuluar për shkak të kushteve jo të mira, derisa këto raste do të duhej të presin deri në fund të këtij muaji që t’u nënshtrohen operacioneve.

Një nga pacientët ka treguar për “Zërin” se e ka pasur të nevojshme t’i nënshtrohet një operacioni në këmbë, por që javën e kaluar në Klinikën e Ortopedisë i është thënë se një intervenim i tillë nuk është i mundur momentalisht.

Pacientja ka treguar se i është thënë që sallat janë me myk dhe se i duhet të presë deri në tri javë për të hyrë në operacion.

Për gjendjen jo të mirë në këtë klinikë mjekët e saj kishin alarmuar para se të mbylleshin repartet, por që menaxhmenti i QKUK-së nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim.

Në Ortopedi dy salla janë jashtë funksionit, anulohen rastet e ftohta

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Arbër Tolaj, ka thënë për “Zërin” se dy salla janë mbyllur përkohësisht në klinikë, të cilat pasi të rinovohen do të fillojnë edhe të funksionojnë. Ai ka thënë se rastet elektive nuk do të operohen momentalisht.

“Në Klinikën e Ortopedisë janë 6 reparte funksionale me pacientë të shtrirë, pastaj ambulanca specialistike dhe blloku operator, i cili ka 3 salla operatore. 1 sallë funksionon, kurse 2 salla janë mbyllur përkohësisht. Në Klinikë ofrohen të gjitha shërbimet dhe operimet e traumës. Rastet elektive (të ftohta), nxjerrjet e materialit osteosintetik, protezat e ligamentet nuk operohen deri në rregullimin e hapësirave para sallave operatore”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër edhe ortopedi në Klinikën e Ortopedisë, Sami Delijaj, ka thënë për “Zërin” se operacionet e planifikuar janë anuluar derisa të merret vendimi për funksionalizimin e sallave.

Ai ka thënë se shpreson që funksionalizimi i tyre të ndodhë deri në fund të këtij muaji.

“Nuk kemi ndonjë telash të madh. Është bërë zgjatja e orarit për një sallë operative prej orës 8 në mëngjes deri në orën 7 në mbrëmje. Operacionet e planifikuara momentalisht janë ndalur deri në një vendim të ri, derisa të arrihet funksionalizimi i plotë i dy sallave të tjera. Janë duke punuar me një dinamik të madhe dhe po shpresojmë që sipas premtimeve të ekspertëve për 2 deri në 3 javë më së largu ato do të funksionalizohen”, ka theksuar ai.

Delijaj ka bërë të ditur se rastet e ftohta, vendosja e protezave e nxjerrja e pllakave janë shërbime, të cilat nuk janë duke u ofruar në këtë klinikë.

QKUK: Ditëve në vijim do të punohet me intensitet më të ulët

Edhe nga zyra për informim në QKUK është konfirmuar mbyllja e dy sallave në Klinikën e Ortopedisë. Nga kjo zyre i është thënë “Zërit” se puna në këtë klinikë ditëve në vijim do të vazhdojë me një intensitet më të ulët.

“QKUK-ja informon opinionin se për shkak të nevojës për renovim dhe në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar kanë vendosur të mbyllin përkohësisht 2 nga 4 sallat aktuale në Klinikën e Ortopedisë. Në sallat në fjalë janë paraqitur shenja të lagështisë. Ekipet e mirëmbajtjes së QKUK-së janë duke u marrë me sanimin e problemit. Puna në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë do të vazhdojë në ditët në vijim me një intensitet më të ulët”, ka thënë ajo.

Për shkak të vjetërsisë së objektit të Ortopedisë nga QKUK-ja është thënë se ka filluar ndërtimi i aneksit të ri modern të kësaj klinike.

“Si rezultat i vjetërsisë së objektit ekzistues dhe pamundësisë së evitimit përfundimtar të problemeve të lartpërmendura, QKUK-ja ka filluar ndërtimin e aneksit të ri modern të Klinikës së Ortopedisë, në të cilin janë planifikuar edhe sallat moderne me hapësira përcjellëse”, është thënë për gazetën.

Mbyllja e reparteve - nga pakujdesia e menaxhmentit

Ish-anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se mbyllja e reparteve në këtë klinikë ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së menaxhmentit.

Ajo ka theksuar se pavarësisht se më herët janë dhënë vërejtjet për gjendjen në Klinikën e Ortopedisë, prapë nuk është reaguar me kohë.

“Është i habitshëm fakti se nuk është reaguar me kohë meqenëse në bazë të informatave tona ata kanë marrë vërejtje paraprakisht nga Inspektorati Sanitar dhe e kanë sjellë gjendjen në atë pikë sa është dashur të mbyllet. Kjo është një pakujdesi nga ana e menaxhmentit, sepse vërtet gjendja ishte mjaft e keqe. Tashmë u pa se ka pasur reparte që janë lënë pasdore”, ka deklaruar ajo.

Kollçaku ka thënë më tej se me ardhjen në Qeveri do të punojnë në fushën e shëndetësisë.

“Ne qëndrojmë prapa asaj që shëndetësia duhet të jetë prioritet në vend dhe forcimi i institucioneve publike, sidomos duke u bazuar në gjendjen që është në vend. Është koha të jepen prova konkrete, që dikush e merr seriozisht dhe do të veprojë për shëndetësi dhe në të mirë të pacientëve në Kosovë”, ka shtuar ajo.