Partitë, pa vullnet për ta bërë reformën zgjedhore
Foto: Laura Hasani

Partitë, pa vullnet për ta bërë reformën zgjedhore

Aktuale November 18, 2019 - 08:01
Lexoni detajet!
Image

Subjekteve politike po u mungon vullneti për ta finalizuar reformën zgjedhore, e cila është nisur tetë vjet më parë. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se me legjislacionin në fuqi partitë kanë më shumë gjasa të manipulojnë me procesin zgjedhor, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Po bëhen 20 vite prejse Kosova organizon zgjedhje nacionale e komunale. Që prej atëherë proceset zgjedhore çdoherë janë përcjellë me telashe nga më të ndryshmet.

LEXO EDHE: LVV-ja e LDK-ja s’e duan Nismën e AKR-në në Qeveri, vendi drejt zgjedhjeve

Për t’i evituar ato shteti i Kosovës në vitin 2011 e kishte iniciuar krijimin e një reforme zgjedhore, e cila tash e tetë vjet ka mbetur pa u përmbyllur.

Mungesa e reformës zgjedhore vazhdon të shkaktojë mangësi nëpër listat votuese, mungesë të zonave zgjedhore, afate kohore të tejzgjatura, rezultate të manipuluara e të tjera, shkruan më tutje "Zëri". 

Mirëpo njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se përmbyllja e kësaj reforme do të bëhet atëherë kur subjektet politike do të kenë vullnet politik, i cili u ka munguar deri tash.

Duke e nënvizuar rëndësinë për një reformë të tillë, analistët theksojnë se Qeveria, por edhe legjislatura e ardhshme duhet ta ketë prioritet finalizimin e saj.

Reforma zgjedhore të jetë prioritet i legjislaturës së ardhshme

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk ka gatishmëri dhe vullnet politik të klasës politike dhe të institucioneve në Kosovë që ta bëjnë reformën zgjedhore, madje ai ka përmendur edhe disa nga arsyet se pse subjektet politike nuk po e çojnë deri në fund këtë reformë.

“Gjendja e tanishme qoftë me legjislacionin zgjedhor, qoftë me procesin zgjedhor ose edhe me teknikat aplikative ju konvenon partive politike dhe veçanërisht udhëheqësve të caktuara të subjekteve politike, sepse kështu siç janë zgjedhjet ata kanë edhe privilegje edhe përfitime të caktuara, të cilat nuk dëshirojnë t’i humbasin”, ka deklaruar ai.

Baraliu ka theksuar se shumë cikle zgjedhore që kanë ndodhur prejse ka hyrë në fuqi Ligji i aktual për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ai për Zgjedhjet Lokale është dëshmuar se reforma zgjedhore është e domosdoshme për t’u përfunduar dhe se duhet të jetë prioritet i legjislaturës dhe i qeverisë së ardhshme.

Ndër të tjera Baraliu ka përmendur edhe ndryshimet në procesin zgjedhor që do të duhej t’i sillte kjo reformë.

“Me reformë mund të bëhen më shumë zona zgjedhore. Do të duhej që pragu zgjedhor të ndryshohej, sepse është shumë i lartë, sidomos për kandidatët e pavarur të cilët pretendojnë të jenë pjesë e Kuvendit pa parti politike. Duhet të ndryshojë menaxhimi i qendrave të vendvotime dhe mënyra e numërimit të rezultateve, sepse siç është dëshmuar edhe më herët e sidomos në këtë cikël zgjedhor ka përpjekje për ta manipuluar procesin nga vetë komisionarët”, ka përfunduar ai

Reforma ndalon abuzimin me procesin zgjedhor

Edhe përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, është shprehur për “Zërin” se pengesa kryesore e përmbylljes së reformës zgjedhore është mungesa e vullnetit politik te një pjesë e partive.

Ai thotë se LDK-ja ka qenë pro formimit të një reforme zgjedhore që nga viti 2010.

“Në mungesë të një reforme zgjedhore ne kemi një proces të këtillë me të cilin po manipulojnë segmente të caktuara në nivel më të ulët, të cilat e kanë perfeksionuar manipulimin ose abuzimin. Kjo gjë pastaj po shkakton tejzgjatje të procesit për ta korrektuar atë. Kështu që, është mirë që pas këtyre zgjedhjeve të kemi një proces me një reformë zgjedhore”, ka deklaruar Dushi.

Ai ka përmendur disa nga problemet kyçe, të cilat do të evitoheshin me reformë zgjedhore.

“Problemi kyç është ai në terren në ditën e votimit. Ata të cilët nominohen nga subjektet politike në ditën e zgjedhjeve praktikisht nuk e kryejnë punën në përputhje me ligjin, fjala është kryesisht te numërimi, përshkrimi i rezultateve, mënyra e votimit e shumëçka tjetër. Me një reformë zgjedhore besoj se do të mundë të mënjanoheshin këto probleme”, ka potencuar Dushi.

Gashi: Mungesa e shtytjes nga faktori ndërkombëtar e ka zvarritur finalizimin e reformës zgjedhore

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Ilir Gashi, ka deklaruar për gazetën se përveç mungesës së vullnet politik ka edhe arsye tjera që kanë çuar në mospërfundimin e reformës zgjedhore.

Sipas tij, për finalizimin e këtij procesi ka munguar edhe shtytja serioze nga faktori ndërkombëtar ndonëse mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian kanë ngritur shqetësim për ngecjen në reformën zgjedhore disa herë në raportet vjetore për Kosovën.

“Reforma zgjedhore nuk po bëhet, sepse nuk ka pasur vullnet politik nga subjektet politike shqiptare dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur edhe shtytje serioze nga faktori ndërkombëtar. Ndoshta një arsye tjetër është se në vitet e fundit nuk kemi pasur legjislativ afatgjatë, duke pasur parasysh edhe disa tema të mëdha që e kanë çorientuar ekuilibrin e interesave të brendshme, siç është energjia e shpenzuar në dialogun me Serbinë”, ka nënvizuar Gashi.

Sipas tij, ka një varg elementesh të cilat duhet të ndryshohen në procesin zgjedhor ndër to, Gashi thekson se ka nevojë urgjente të ndryshohet mënyra e numërimit të votave.

“Partitë parlamentare duhet ta kenë parasysh se me ligjin, të cilin e ka ndryshuar Gjykata Supreme, është problem të mbahen zgjedhjet. Ky sistem duhet ndryshuar ose përmes mbylljes së listave që do të mundësonte rezultat të shpejtë dhe me pak defekte, por me një demokraci të cunguar ose të mbetet kështu me një demokraci të plotë, por të keqpërdorur që po sjell shumë probleme. Urgjente do të mbetet të ndryshohet mënyra e numërimit të votave, që mund të bëhet më e besueshme në QNR, por prapë me afate të zgjatura”, ka theksuar ai.