Pas vendimit të Supremes, vjen reagimi i Nismës

Pas vendimit të Supremes, vjen reagimi i Nismës

Aktuale November 14, 2019 - 15:41

Gjykata Supreme pak më parë ka publikuar vendimin në lidhje me ankesat e tre kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për heqjen nga rezultati përfundimtar të rreth 3 mijë votave të ardhura nga Serbia.

Pas këtij vendimi, Anëtari i Kryesisë Qendrore të Nisma Socialdemokrate, Xhevdet Smakiqi, njëherësh kandidat për deputet nga ky subjekt politik, ka folur për GazetënBlic për vendimin e Supremes e cila vendosi në favor të tyre, që votat e ardhura nga Serbia të përjashtohen nga rezultati i zgjedhjeve.

Ai tha se nuk janë të befasuar nga vendimi i Supremes sepse kjo e fundit vendosi drejtë në vendimin e PZAP-së duke mbrojtur Ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

“Nuk jemi të befasuar me këtë vendim të Gjykatës Supreme sepse Supremja e ka vetëm një të vërtetë dhe ai është vendimi i PZAP-së që ka vepruar shumë drejtë që ka mbrojtur Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Smakiqi për GazetaBlic.

Pas këtij vendimi, koalicionit NISMA-AKR-PD iu ngjallen shpresat për sigurimin e 6 ulëseve në Kuvendin e Kosovës, mirëpo palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.