6 javë nga zgjedhjet, ende pa marrëveshje për qeverinë e re
Foto: Laura Hasani

6 javë nga zgjedhjet, ende pa marrëveshje për qeverinë e re

Aktuale November 14, 2019 - 08:21
Detajet
Image

Pavarësisht faktit që para një jave KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit, certifikimi i tyre pritet të shtyhet edhe më tej. Rrjedhimisht, zvarritje pritet të ketë edhe drejt marrëveshjes finale dhe krijimit të institucioneve të reja. Përfaqësuesit e partive, të cilat po diskutojnë rreth harmonizimit të programeve, thonë se zvarritja nuk po vjen nga ta, por nga procedurat teknike të KQZ-së, shkruan sot gazeta "Zëri".

Është bërë një javë prejse LVV-ja dhe LDK-ja kanë përmbyllur ciklin e diskutimeve në kuadër të grupeve punuese. Megjithëkëtë, ende nuk është mbajtur ndonjë takim në kuadër të nivelit politik, gjegjësisht ndërmjet kryetarëve të partive përkatëse. Meqë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka obliguar KQZ-në për rinumërim të 1472 vendvotimeve, procesi deri te certifikimi i rezultateve është shtyrë edhe më tej. PZAP-i gjithashtu ka obliguar KQZ-në që votat e ardhura nga Serbia t’i largojë nga rezultati përfundimtar. Si rrjedhojë e kësaj tre kandidatë për deputetë të LVV-së kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe një kandidat i LDK-së, pasi me largimin e votave të ardhura nga Serbia ai mbetet jashtë ulëseve të Kuvendit. Zyrtarë të këtyre subjekteve thonë se zvarritja drejt marrëveshjes nuk po vjen nga partitë e tyre, por nga procedurat teknike të KQZ-së. Sidoqoftë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ngadalësimi i rrugës drejt marrëveshjes përfundimtare mund të vijë edhe si rezultat i Nismës Socialdemokrate, varësisht se si përcaktohet fati i saj - brenda ose jashtë Kuvendit. Ndërkohë tashmë janë bërë gati gjashtë javë prejse ka përfunduar procesi zgjedhor në Kosovë.

Ndarja e posteve diskutohet mes Kurtit e Mustafës

Lidhur me çështjen e bisedimeve LVV - LDK gjatë ditës së djeshme ka folur edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me ç’rast ka thënë se këto dy subjekte kanë harmonizuar programin qeverisës mbi 80 për qind.

“Kemi diskutuar për temat, kemi harmonizuar programin e përbashkët qeveritar dhe ky është shtrirë në masën mbi 80% dhe unë jam shumë i lumtur për këtë gjë”, ka deklaruar Kurti

Gjatë deklaratës së tij kreu i LVV-së ka thënë se mes këtij subjekti dhe LDK-së tashmë kanë mbetur edhe diskutimet rreth ndarjes së funksioneve dhe pozitave. “Ka ngelur edhe pjesa tjetër, e cila është ndarja e përgjegjësive, e funksioneve dhe e posteve të ministrive. Bashkë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, do të takohemi dhe do të merremi vesh sepse populli na e ka përcaktuar një gjë të tillë”, ka potencuar Kurti.

Lidhur me çështjen e bashkëpunimit me LVV-në është deklaruar edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili po ashtu ka thënë gjatë së mërkurës se këto dy subjekte janë pajtuar në shumicën e temave. Me këtë rast Mustafa ka thënë se vendimet e PZAP-it kanë ndikuar në shtyrjen e marrëveshjes finale. Ndaj sipas tij pa përfunduar këto gjëra nuk do të ketë marrëveshje me LVV-në. “Nuk do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15 ose 20 ditë, sepse deri atëherë nuk e dimë përfundimisht sa deputetë do t’i ketë LDK-ja, sa do t’i ketë LVV-ja dhe si do ta konstituojmë një marrëveshje të ardhshme të koalicionit”, ka theksuar ai, shkruan tutje "Zëri".

Megjithëkëtë aktualisht sipas Mustafës nuk mund të flitet për një koalicion të kryer me LVV-në. “Unë tash po flas për një koalicion të mundshëm, nuk mund të flas për një koalicion të kryer, sepse ne jemi në fazën e dialogut dhe të bisedimeve, por për atë duhet të marrim vendim se a pajtohemi për të gjitha çështjet”, është shprehur lideri i LDK-së.

LDK-ja pret që në dhjetor të ketë formim të institucioneve

Edhe kandidati i LDK-së për deputet Driton Selmanaj ka thënë se nuk ka kurrfarë zvarritje drejt marrëveshjes për qeverisje, porse një gjë e tillë varet krejt nga hapat që ndërmerr KQZ-ja.

Dy partitë politike, LDK-ja dhe LVV-ja, siç ai është shprehur, kanë një gatishmëri të konsiderueshme për të bashkëpunuar. “Tash gjithçka varet se si po ecën procesi i certifikimit të rezultateve, prandaj nuk ka asnjë arsye që të mendohet se ka zvarritje ose ka një tendencë të caktuar brenda vetë dy subjekteve politike. Në momentin kur përfundojnë ato, dinamika e takimeve dhe arritja e marrëveshjes për qeverisje besoj se nuk do të jetë larg”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndonëse nëntori ishte përmendur në vazhdimësi si muaj potencial për krijimin e qeverisë së re, Selmanaj ka thënë se pa përfunduar të gjitha procedurat në KQZ nuk mund të ecet në drejtim të marrëveshjes. “Është menduar të jetë nëntori, për shkak se është dukur që procesi i certifikimit të rezultateve do të marrë epilog të shpejtë. Tash kanë ndodhur shumë çështje të tjera që janë afate ligjore, kushtetuese, të cilat ne do t’i respektojmë”, ka nënvizuar ai.

Ndaj Selmanaj ka thënë se nuk mund të jepen afate konkrete se kur mund të ketë marrëveshje, porse është shprehur optimist se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë muajit dhjetor. “Nëse vonohet procesi i certifikimit, më pas janë afatet e tjera kushtetuese, janë 30 ditë që Kuvendi të konstituohet, më pas janë 15 ditë - propozimi për mandatarin dhe propozimi për qeverinë e re. Ne po shpresojmë se Kosova para fundvitit, në dhjetor, t’i ketë institucionet e saj”, ka potencuar ai.

Fati i Nismës mund ta ngadalësojë rrugën drejt marrëveshjes finale

Teksa ka folur rreth zvarritjes së marrëveshjes finale njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka thënë se fati i Nismës Socialdemokrate mund ta ngadalësojë rrugën drejt marrëveshjes finale. “Ende nuk po dihet nëse Nisma do të jetë ose jo pjesë e Kuvendit dhe natyrisht se kjo e frenon pak dinamikën e arritjes së marrëveshjes. Në parim as LDK-ja e as LVV-ja nuk do të duhej të ishin kurrfarë pengese për ta arritur një marrëveshje, në mënyrë që kur të certifikohen zgjedhjet ato të jenë të gatshme dhe qysh përpara të merren vesh nëse Nisma do të jetë pjesë e qeverisjes ose jo”, ka deklaruar ai, shkruan tutje "Zëri".

Sido që të jetë, Mushkolaj ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç asaj që ose të bëhet koalicioni mes këtyre dy partive, ose të shkohet në zgjedhje të reja. “Tash varet se cili është interesi i ndonjërës prej partive që të shkohet në zgjedhje, por nuk ka zgjidhje tjetër. Me këtë logjikë unë e shoh se vetëm mund të zvarritet arritja e marrëveshjes, por do të ndodhë”, ka potencuar ai.

Në të kundërtën, nëse qëllimi i ndonjërës prej partive është që të mos ketë marrëveshje, Mushkolaj ka thënë se kjo duhet të bëhet e qartë qysh tani. “Përndryshe, nëse kanë vendosur që të mos arrihet marrëveshja për arsye të ndryshme, ta zëmë nëse nuk pajtohen rreth postit të presidentit, atëherë thjesht le të tregojnë dhe të shkojnë në zgjedhje të reja. Por nuk pres që do të ketë zgjidhje tjetër në kuptimin e një riformatimi të koalicionit të mundshëm”, është shprehur ai./ZËRI