Thellimi i ndasive mes Kosovës dhe Shqipërisë, përtej patriotizmit folklorik
Foto: Laura Hasani

Thellimi i ndasive mes Kosovës dhe Shqipërisë, përtej patriotizmit folklorik

Aktuale November 14, 2019 - 08:14
Detajet
Image

Me dhjetëra marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës e Shqipërisë kanë mbetur vetëm në letër, teksa nisma e treshes Zaev - Rama – Vuçiq për krijimin e një “Mini- Shengeni Ballkanik” ka thelluar edhe më tej ndasitë në mes të dyja shteteve. Kështu të paktën thonë njohësit e çështjeve politike në Kosovë e në Shqipëri, të cilët i fajësojnë autoritetet e të dyja vendeve për mungesë vullneti për t’i forcuar lidhjet mes vete, shkruan sot gazeta "Zëri".

Që nga takimi i parë qeveritar Shqipëri – Kosovë në janar të vitit 2014 qeveritë e të dyja vendeve kanë nënshkruar me dhjetëra marrëveshje, të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik, teksa implementimi i tyre në anën tjetër vazhdon të jetë tejet i zbehur. E thellimit të ndasive mes Kosovës e Shqipërisë, sipas njohësve të rrethanave politike të Shqipërisë dhe të Kosovës, po i kontribuon edhe më shumë moskoordinimi i Tiranës zyrtare me autoritet kosovare për nismën e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik”.

Kjo iniciativë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq e la jashtë Kosovën, e cila nuk u ftua në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë. Vlerësohet se ky skenar ishte gabim strategjik i Shqipërisë, i cili mund të ndikojë në krijimin e mureve të reja ndarëse mes të dyja shteteve. Kësisoj, sipas analistëve, retorika populiste e rënies së kufijve midis dy vendeve u shua pa dhënë asnjë rezultat konkret, ashtu siç retorika e re populiste e rënies së kufijve rajonalë është e destinuar të mos ketë jetëgjatësi, shkruan tutje "Zëri".

Shuarja e idesë populiste të rënies së kufijve mes Kosovës e Shqipërisë 

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike (ISP) në Shqipëri, ka deklaruar për “Zërin” se debati që nisma për “Mini-Shengenin Ballkanik” prodhoi në Prishtinë e në Tiranë shpërfaq dallimet substanciale mes të dyja shteteve. “Debati midis politikës në Tiranë dhe asaj në Prishtinë e eklipsoi Samitin dhe retorikën ndaj tij.

Kryeministri Rama gaboi kur në krahë të liderëve të tjerë rajonalë, sidomos të atij të Serbisë, kritikoi Kosovën për vetizolim, një argument që tradicionalisht ka ardhur nga pala serbe. Replikat midis tij dhe kryetarit të LDK-së ose ndonjë zëri tjetër politik në Kosovë nuk kanë vlerë afatgjatë, pasi janë replika ditore konsumi, por më rëndësi ka fakti se si është e mundur që realiteti i ri në Kosovë të mos njihet e respektohet në Tiranë dhe anasjelltas, se si faktorët e rinj politikë në Kosovë të mos arrijnë të krijojnë dialog të besueshëm e funksional me Tiranën zyrtare”.

Sipas tij, autoritetet e Shqipërisë kanë detyrim kushtetues të jenë në një vijë me autoritet kosovare për çfarëdo nisme politike. Rrjedhimisht, një situatë e tillë sipas Krasniqit shpërfaq nevojën e qeverive të të dyja vendeve që të dialogojnë e të dakordohen për shumë çështje.

“Megjithatë, edhe në këtë rast doli më se e qartë se asnjë nismë rajonale që direkt ose indirekt përjashton Kosovën dhe nevojën e njohjes së plotë të kredencialeve të shtetit të ri nuk mund të ketë sukses dhe se midis Tiranës dhe Prishtinës ka shumë gjëra që duhen dialoguar, për të cilat duhet reflektim i ndërsjellë dhe me të cilat duhet të përballen dy kabinetet qeveritare”, ka thënë më tutje ai. 

Kësisoj, Krasniqi vlerëson se me këtë nismë për krijimin e një “Mini-Shengeni” retorika populiste e rënies së kufijve midis dy vendeve u shua pa dhënë asnjë rezultat konkret, ashtu siç retorika e re populiste e rënies së kufijve rajonalë është e destinuar të mos ketë jetëgjatësi, shkruan gazeta "Zëri".

(Pa)Zbatueshmëria e marrëveshjeve Kosovë - Shqipëri

Përjashtimi që iu bë Kosovës nga nisma për krijimin e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik” dhe mosdakordimi i autoriteteve të Tiranës me Prishtinën zyrtare janë tregues të qartë të mosfunksionimit të duhur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu ka deklaruar njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj, i cili e arsyeton mospjesëmarrjen e Kosovës në takimin e Ohrit.

“Se si duhet parë marrëdhëniet Kosovë – Serbi tregon fakti që paraprakisht përfaqësuesit e Kosovës as që janë konsultuar nga Shqipëria për këtë nismë. E të mos harrojmë që Rama dhe Vuçiqi janë nismëtarë të kësaj iniciative. Po ashtu kur është mbajtur takimi i parë në Novi Sad Kosova nuk është ftuar fare, ndërkohë tash Edi Rama po ua zë për të madhe përfaqësuesve të Kosovës, të cilët nuk morën pjesë në këtë takim, që për mua është totalisht jologjike, për shkak se nëse flasim për parimin e barabarësisë dhe nëse flasim për parimin e përfaqësimit të njëjtë, atëherë do të duhej që Vuçiqi t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës në takimin e parë aty”, ka thënë ai. 

Kësisoj, sipas Mushkolajt, krijimi i një “Mini-Shengeni” do të rezultojë në përpjekje të dështuar për shkak të refuzimit të shumë shteteve që t’i bashkohen asaj. “Unë këtë e shoh si një përpjekje të dështuar, si një qasje më shumë për protagonizëm të Ramës dhe të Vuçiqit sesa që njëmend mund të ndodhë një projekt i tillë. Aq më pak tash kur Mali i Zi në njëfarë forme ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj nisme dhe Bosnja në anën tjetër i ka dilemat e veta”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërkohë, duke folur për pazbatueshmërinë e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës e Shqipërisë, Mushkolaj vlerëson se përpos deklarimeve pompoze të të dyja vendeve, nuk ka pasur lëvizje në implementimin e këtyre marrëveshjeve. “Zbatimi i marrëveshjeve nuk ka qenë i kënaqshëm, pavarësisht deklaratave shumë pompoze se do të ndodhë kjo gjë ose tjetra. Është shumë absurde të flitet për bashkëpunim në kuadër të rajonit, ndërkohë që këto dy shtete nuk bashkëpunojnë sa duhet mes vete, sidomos në disa fusha ku nuk i pengon askush nga vendet e rajonit ose të Bashkimi Evropian t’i çojnë përpara dhe t’i avancojnë marrëveshjet e arritura”, ka potencuar ai. 

Arsyet e mosimplemtimit të marrëveshjeve Kosovë - Shqipëri 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, për “Zërin” ka thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë alternativë tjetër përveç të kenë raporte të mira me njëra-tjetrën, pavarësisht nismave që bëhen në rajon. “Unë mendoj se ne nuk kemi alternativë tjetër, përpos raporte të mira me Republikën e Shqipërisë, sikundër që mendoj se pozicioni i Shqipërisë kundër Serbisë është i gabuar dhe nuk besoj që do të ketë ndonjë implikim për Kosovën çfarëdo marrëveshjeje që arrihet mes Shqipërisë dhe shteteve të tjera”, ka thënë ai.

Ndërkohë Hoti ka theksuar se është për keqardhje që autoritet kosovare dhe ato të Shqipërisë nuk kanë punuar mjaftueshëm për implementimin e marrëveshjeve të arritura mes të dyja vendeve ndër vite. “Është për keqardhje mosimplementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Mendoj se faji është i dyanshëm, edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina, sepse siç duket nuk ka gatishmëri që marrëveshjet e arritura në ato mbledhjet e dy qeverive të të dyja vendeve nuk arritën asnjëherë ta shohin dritën”.

Ai ndër të tjera ka thënë se as Kosova e as Shqipëria nuk kanë pasur vullnetin e duhur politik për t’i implementuar marrëveshjet e nënshkruara me njëra-tjetrën, madje as ato për të cilat ka ekzistuar pajtueshmëri ndërkombëtare.

“Është fund e krye mungesë e vullnetit të të dyja qeverive, madje edhe tek ato projekte për të cilat ka pasur pajtueshmëri ndërkombëtare, siç është për shembull tregu i përbashkët energjetik, i cili ka marrë miratimin nga sekretaria në Vjenë, pastaj autostrada energjetike në mes Prishtinës dhe Tiranës, pastaj bashkimi doganor e shumë marrëveshje tjera”, ka shtuar ai./ZËRI