Limaj: Supremja e ka të qartë se VV’ja dhe Rashiq u ankuan për të përmbushur apetitet e pazaret

Limaj: Supremja e ka të qartë se VV’ja dhe Rashiq u ankuan për të përmbushur apetitet e pazaret

Aktuale November 13, 2019 - 21:33
Detajet

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, dhe Nenad Rashiq, përfaqësuesi i koalicionit mes disa partive serbe në Kosovë, “Sloboda”, pavarësisht se i kanë cilësuar si të parregullta pakot me vota të ardhura nga Serbia po kërkojnë nga Gjykata Supreme t’i pranojë ato vota.

Kreu i Nismës thotë në një shkrim në Facebook se Vetëvendosje dhe Rashiq po i kërkojnë Supremes të vendos në favorin e tyre jo se ato vota janë të rregullta, sepse, sipas tij, e dinë që janë të falsifikuara, por se i duhet, siç ka thënë ai, të grabisin tre mandate dhe të përmbushin pazarin që kanë bërë.

Limaj shton se Gjykata Supreme e ka të qartë se ata që janë ankuar nuk janë aspak të shqetësuar për ligj e as për të drejtën e qytetarëve.

“Po ashtu me qendrim publik kanë tregu se edhe për ta ato vota janë të parregullta dhe se ankesa e tyre është më tepër kerkesë për me shkele ligjin dhe me ju permbushë apetitet e pazarët në dem të tjerve e në kundërshtim me ligjin”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në ‘Facebook’.

Postimi i Limajt:

Fatkeqësisht, ky është realiteti në Kosovë!

Ka parti qe ka një qëndrim zyrtar të partisë ku i cilëson të parregullta e kontrabandë pakot e ardhura nga Serbia dhe brenda javës e njëjta parti kërkon nga Gjykata Supreme zyrtarisht me i pranu ato pako si të rregullta.

Në të njëjtën situatë e thërret në ndihmë edhe një përfaqësues serb i cili para tre dite tha publikisht në TV se ato “vota” grumbullohen, mbushen e falsifikohen në Nish dhe ky përfaqësues tash i kërkon gjykatës me i pranu  të njëjtat si vota të vlefshme.

Me një fjalë LVV e Rashiqi po i kërkojnë Gjykatës Supreme të vendos në favorin e tyre jo se ato janë të rregullta dhe e dinë që janë të falsifikuara, por i duhen se i grabitin tre mandate dhe përmbushin pazarin që kanë bërë me Rashiqin.

Besoj fort që Gjykata Supreme tanimë e ka të qartë se ata që janë ankuar nuk janë aspak të shqetësuar për ligj e as për drejtën e qytetarëve.

Po ashtu, me qëndrim publik kanë treguar se edhe për ta ato vota janë të parregullta dhe se ankesa e tyre është më tepër kërkesë për me shkel ligjin dhe me ju përmbushë apetitet e pazaret në dëm të të tjerëve e në kundërshtim me ligjin.