Shkaqet e rënies së PDK-së pas 12 vjetësh në pushtet

Shkaqet e rënies së PDK-së pas 12 vjetësh në pushtet

Aktuale nëntor 08, 2019 - 12:35
Detajet

Dy partitë që ishin themeltare të qeverisë së kaluar, PDK-ja e AAK-ja, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja me numrin e votave që kanë marrë del se do të jenë pjesë e opozitës në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja me 25 deputetë e AAK-ja me 14 deputetë, pavarësisht rënies nga pushteti, zotohen se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive, shkruan sot gazeta "Zëri".

Instalimi i klientelizmit në institucione, patronazhi politik e shumë skandale gjatë 12 vjetëve të qeverisjes janë shkaqet kryesore, të cilat ndikuan që PDK-ja të kalojë në opozitë.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, i cili për “Zërin” ka theksuar po ashtu se kjo parti për 12 vjet në pushtet nuk kishte bërë asnjë ndryshim në formën e qeverisjes.

“Të jesh për 12 vjet në pushtet pa bërë ndryshime në mënyrën e qeverisjes do të ishte problem t’i fitojë zgjedhjet secila parti edhe në shtetet që kanë të instaluara sisteme gjysmautoritare. Instalimi i kilentelizimit në institucione, patronazhi politik e skandalet e 12 vjetëve të qeverisjes kanë qenë të mjaftueshme që kësaj radhe PDK-ja të mjaftohet me vendin e tretë në zgjedhje”, ka thënë Alija.

Sipas tij, një faktor tjetër kyç që ka ndikuar në rënien e PDK-së ka qenë edhe ndërrimi i liderit të partisë nga Hashim Thaçi te Kadri Veseli.

“Faktor tjetër që e vendos PDK-në si të tretën në zgjedhje është edhe ndryshimi i liderit. Subjektet politike në Kosovë janë të përqendruara rreth figurës së liderit dhe zgjedhja e Thaçit president e Veselit si kryetar partie duket se e ka ndihmuar rënien e PDK-së. Ndërsa për ta vulosur rezultatin e zgjedhjeve për PDK-në ka ndihmuar edhe fryma e ndryshimit. Qytetarët si rrallëherë e kanë pasur mundësinë e alternativave në zgjedhjet e 6 tetorit. Mungesa e koalicioneve dhe garimi në zgjedhje veç e veç ua ka treguar subjekteve politike fuqinë reale të tyre, ndërsa votueseve u është dhënë mundësia për ndryshim”, ka shtuar tutje ai.

Ndërkohë duke folur për opozitën e ardhshme të Kuvendin të Kosovës Alija ka shtuar se faktor përcaktues për të do të jetë bashkëpunimi AAK - PDK.

“Opozita pa dyshim se do të jetë solide në numra. Se si do të jetë opozita e ardhshme varet shumë nga strategjia e opozitës. Njëra strategji mund të jetë opozitarizimi cilësor, që nënkupton sa më shumë alternativa të tjera karshi qeverisjes së re dhe rekordet që do t’i kenë në ngritjen e çështjeve, në nismat ligjore dhe në kërkimin e llogarisë ndaj qeverisjes së re. Ndërsa strategjia e dytë mund të jetë një lloj kopjimi i opozitarizimit të LVV-së. Ndërsa përcaktuese për opozitën e ardhshme do të jetë bashkëpunimi PDK - AAK”, ka thënë Alija./ZËRI