Mblidhet Kryesia e LDK-së: Këto çështje do të diskutohen

Mblidhet Kryesia e LDK-së: Këto çështje do të diskutohen

Aktuale nëntor 08, 2019 - 12:07
Detajet

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që nga ora 13:00 ta mbajë mbledhjen e Kryesisë.

Burime të Gazetës Blic brenda Lidhjes Demokratike bëjnë me dije se tema kryesore e diskutimit do të jetë raportimi i grupeve teknike, për punën e tyre gjatë negociatave që kanë pasur me përfaqësuesit e Vetëvendosje në 6 takimet e zhvilluara.

“Grupet teknike do të na informojnë në lidhje me takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e Vetëvendosjes, dhe arritja e përafrimit të programeve ndërmjet dy partive politike”, tha ky burim i Gazeta Blic.

LDK edhe përmes një njoftimi të lëshuar për media ka njoftuar për mbajtjen e kësaj mbledhjeje të Kryesisë.

“Sot (e premte), më datë 8 nëntor 2019, në orën 13:00, mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Mbledhja mbahet në selinë qendrore të LDK-së (Kompleksi Qafa). Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërsa pas mbledhjes kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. Ftohen mediet të përcjellin këtë ngjarje!”, thuhet në këtë njoftim.

LDK dhe VV pritet që brenda ditëve të ardhshme të formalizojnë marrëveshjen politike për qeverisjen e ardhshme.

Në takimin e fundit të grupeve punuese të këtyre dy partive, u tha se janë pajtuar po thuajse për gjitha çështjet programore, por pa diskutuar ende për ndarjen e posteve.