Pas rënies PDK-ja e AAK-ja paralajmërojnë një opozitë të fuqishme
Foto: Laura Hasani

Pas rënies PDK-ja e AAK-ja paralajmërojnë një opozitë të fuqishme

Aktuale nëntor 08, 2019 - 08:04
Detajet
Image

Dy partitë që ishin themeltare të qeverisë së kaluar, PDK-ja e AAK-ja, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja me numrin e votave që kanë marrë del se do të jenë pjesë e opozitës në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja me 25 deputetë e AAK-ja me 14 deputetë, pavarësisht rënies nga pushteti, zotohen se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive, shkruan sot gazeta "Zëri".

Partia Demokratike e Kosovës në krye me Kadri Veselin dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn nga partneriteti në qeverisjen e kaluar me koalicionin PAN tash ndarazi do të jenë pjesë e opozitës në Parlamentin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e shtatë. Në bazë të rezultateve zyrtare të KQZ-së, PDK-ja u radhit si partia e tretë më e votuar, pas Lëvizjes Vetëvendosje e LDK-së, me gjithsej 178 mijë e 645 vota ose 21,163%.

Ndërsa AAK-ja pas PDK-së doli si partia e katërt më e votuar me 96 mijë e 883 vota ose 11,47%. Mirëpo, pavarësisht rënies nga pushteti përfaqësues të këtyre dy partive janë zotuar se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër njohës të rrethanave politike vlerësojnë se debakli i pësuar nga këto dy parti erdhi si pasojë e keqqeverisjes së tyre gjatë mandatit të kaluar, si dhe gjatë mandateve të tjera. Në ndërkohë sipas tyre, rënia e PDK-së nga pushteti pas 12 vjetësh erdhi si pasojë e instalimit të klientelizmit në institucione, patronazhit politik e të skandaleve të kësaj partie sa ishte pushtet, shkruan tutje "Zëri".

AAK: Do të jemi opozitë kritike dhe e zëshme

Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit Rasim Selmanaj, i cili arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u bërë deputet edhe në këtë legjislaturë, për “Zërin” theksoi se partia e tij do të jetë opozitë e zëshme dhe kritike ndaj qeverisë së re. “Do të mundohemi të jemi pjesë aktive dhe do ta kritikojmë qeverinë e re aty ku ka gabime, por në të njëjtën kohë ndaj të gjitha iniciativave të tyre dhe premtimeve të tyre. Pavarësisht se jemi opozitë, ne do të jemi kritikë dhe do t’i përcjellim saktë nëse ato po realizohen në formën e premtuar”, ka thënë Selmanaj.

Kurse i pyetur për gjasat që edhe AAK-ja të jetë pjesë e qeverisë së re, Selmanaj ka potencuar se për një gjë të tillë partia e tij ende nuk ka diskutuar. “Rezultati i zgjedhjeve u pa sot edhe zyrtarisht si është. Ne jemi në opozitë dhe mundësinë që të jemi pjesë e qeverisë së re nuk e kemi diskutuar, mirëpo aktualisht rezultati i zgjedhjeve tregon se ne jemi opozitë”, ka shtuar ai.

Ditë më parë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Elmi Reçica, duke e komentuar rezultatin zgjedhor të PDK-së për “Zërin” kishte thënë se ndonëse qytetarët e Kosovës i besojnë PDK-së dëshira e tyre për t’i provuar edhe partitë tjera kësaj radhe ishte më e madhe. “PDK-ja është në pushtet qe 16 vjet dhe unë besoj se faktori kyç që ka ndikuar për këtë rezultat është mosinformimi ose tendenca për t’i provuar edhe të tjerët. Unë besoj se nuk ka pasur ndonjë element tjetër qenësor dhe është parë kryesisht tendenca për t’i provuar edhe partitë e tjera, pavarësisht se secili në një formë ose në tjetrën është provuar, mirëpo ajo si tendencë ka gjetur përkrahje te një pjesë e qytetarëve”, ka thënë Reçica, shkruan "Zëri".

Ndërkohë edhe Reçica, por edhe zyrtarë të tjerë të PDK-së pas kalimit në opozitë janë zotuar se do të jenë një opozitë e fuqishme dhe konstruktive.

Shkaqet e rënies së PDK-së pas 12 vjetësh në pushtet

Instalimi i klientelizmit në institucione, patronazhi politik e shumë skandale gjatë 12 vjetëve të qeverisjes janë shkaqet kryesore, të cilat ndikuan që PDK-ja të kalojë në opozitë. Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, i cili për “Zërin” ka theksuar po ashtu se kjo parti për 12 vjet në pushtet nuk kishte bërë asnjë ndryshim në formën e qeverisjes. “Të jesh për 12 vjet në pushtet pa bërë ndryshime në mënyrën e qeverisjes do të ishte problem t’i fitojë zgjedhjet secila parti edhe në shtetet që kanë të instaluara sisteme gjysmautoritare. Instalimi i kilentelizimit në institucione, patronazhi politik e skandalet e 12 vjetëve të qeverisjes kanë qenë të mjaftueshme që kësaj radhe PDK-ja të mjaftohet me vendin e tretë në zgjedhje”, ka thënë Alija.

Sipas tij, një faktor tjetër kyç që ka ndikuar në rënien e PDK-së ka qenë edhe ndërrimi i liderit të partisë nga Hashim Thaçi te Kadri Veseli.

“Faktor tjetër që e vendos PDK-në si të tretën në zgjedhje është edhe ndryshimi i liderit. Subjektet politike në Kosovë janë të përqendruara rreth figurës së liderit dhe zgjedhja e Thaçit president e Veselit si kryetar partie duket se e ka ndihmuar rënien e PDK-së. Ndërsa për ta vulosur rezultatin e zgjedhjeve për PDK-në ka ndihmuar edhe fryma e ndryshimit. Qytetarët si rrallëherë e kanë pasur mundësinë e alternativave në zgjedhjet e 6 tetorit. Mungesa e koalicioneve dhe garimi në zgjedhje veç e veç ua ka treguar subjekteve politike fuqinë reale të tyre, ndërsa votueseve u është dhënë mundësia për ndryshim”, ka shtuar tutje ai.

Ndërkohë duke folur për opozitën e ardhshme të Kuvendin të Kosovës Alija ka shtuar se faktor përcaktues për të do të jetë bashkëpunimi AAK - PDK. “Opozita pa dyshim se do të jetë solide në numra. Se si do të jetë opozita e ardhshme varet shumë nga strategjia e opozitës. Njëra strategji mund të jetë opozitarizimi cilësor, që nënkupton sa më shumë alternativa të tjera karshi qeverisjes së re dhe rekordet që do t’i kenë në ngritjen e çështjeve, në nismat ligjore dhe në kërkimin e llogarisë ndaj qeverisjes së re. Ndërsa strategjia e dytë mund të jetë një lloj kopjimi i opozitarizimit të LVV-së. Ndërsa përcaktuese për opozitën e ardhshme do të jetë bashkëpunimi PDK - AAK”, ka thënë Alija.

Mundësitë e bashkëpunimit opozitar AAK - PDK

Politologu Mazllum Baraliu për “Zërin” ka deklaruar se kalimi i PDK-së e i AAK-së nga pushteti në opozitë është ndëshkimi që votuesit ia bënë dy partive, të cilat ishin pjesë e qeverisë së kaluar.

“E para që duhet analizuar është se edhe PDK-ja si prijëse e koalicionit qeverisës PAN, edhe partitë e tjera të këtij koalicioni kanë marrë një leksion nga votuesi për mënyrën e qeverisjes në mandatin e kaluar. Pra, për të gjitha ato gabime në qeverisje e sidomos për PDK-në, e cila ishte për 12 vjet në pushtet, për mënyrën e qeverisjes dhe qasjen ndaj shtetit e qytetarit këto parti kanë marrë leksionin e duhur dhe mendoj se kësaj radhe votuesi kosovar është vetëdijesuar e ka votuar për ndryshimin”, ka thënë Baraliu.

Mirëpo Baraliu vlerëson se rezultati i PDK-së në këto zgjedhje nuk dallon shumë nga ai i vitit 2017, kur kjo parti kishte marrë një numër të përafërt të votave. Edhe atëherë sipas tij PDK-ja ishte ndëshkuar nga votuesit për themelimin e koalicionit PAN në momente të fundit. Ndërsa AAK-ja sipas tij është ndëshkuar për qeverisjen jo të mirë gjatë mandatit të kaluar.

“PDK-ja nuk ka humbur shumë, në fakt është aty ku ka qenë në zgjedhjet e vitit 2017 edhe për nga votat, edhe për nga deputetët, por sigurisht se edhe atëherë ka qenë e dënuar nga votuesit, sepse ishte iniciator që në minutat e fundit të afatit ligjor lidhi një koalicion të panatyrshëm me rreth 20 subjekte të tjera. Edhe atëherë ishte ndëshkuar nga votuesit e vet, ndërsa tani nga votuesit e rinj dhe nga votuesit e partive të tjera, të cilat kanë vendosur të mos i bashkëngjiten me një qeverisje sikurse ishte PAN-i”, ka shtuar tutje ai.

Ndërsa duke folur për një bashkëpunim mes AAK-së e PDK-së si opozitë në Kuvendin e Kosovës Baraliu potencoi se një gjë e tillë është vështirë e mundshme, për shkak të dallimeve substanciale të këtyre dy partive./ZËRI