"Kosova mund të bëhet pjesë e pazareve të Rusisë e të Amerikës"

Aktuale nëntor 06, 2019 - 13:21
Detajet

Cilido qoftë skenari, mbi të cilin do të zhvillohen bisedimet Kosovë - Serbi, ekziston rreziku real që ideja e korrigjimit të kufijve të rikthehet në tavolinën e diskutimeve. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili vlerëson se çështja e Kosovës mund të bëhet pjesë e pazareve të superfuqive botërore, e Rusisë dhe e Amerikës, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndër të tjera Maliqi gjatë intervistës ka thënë se nuk dihet se si mund të bindet Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës pa ndonjë kundërofertë.

 Zëri: Sa besoni se është shuar ideja për shkëmbim të territoreve dhe cilët janë skenarët e mundshëm për Kosovën në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë?

Maliqi: Për skenarët është vështirë të flitet, nuk kanë mbetur më shumë opsione që do t’i kënaqnin të dyja palët. Pasi dihet se BE-ja mbeti relativisht e përçarë dhe rreth zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ofron më asgjë të qëndrueshme, nuk dihet se si mund të bindet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës pa ndonjë kundërofertë. Tani që Franca dhe disa shtete të tjera të BE-së ia mbyllën derën hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë Veriore, është dërguar sinjali negativ edhe për vendet e tjera të Ballkanit, duke përfshirë edhe Serbinë, e cila edhe pse po i zhvillon negociatat nuk e di më as përafërsisht datën e anëtarësimit. Në këtë kontekst nuk funksionon më as kushtëzimi i anëtarësimit me njohjen e Kosovës. As Kosovës nuk i konvenon një skenar i tillë dhe kjo mund ta kthejë sërish në tavolinë çështjen e korrigjimit të kufijve si një opsion pragmatik, i cili i përshtatet asaj që edhe sot e thonë disa qarqe diplomatike se dialogu Kosovë - Serbi nuk ka vija të kuqe dhe se për ta është e pranueshme çdo marrëveshje, të cilën e arrijnë dy palët. Janë të mundshme edhe pazaret mes superfuqive, p.sh. që Trumpi e Putini të dakordohen rreth Kosovës e rreth Krimesë. Po ringjallen mekanizmat e marrëveshjeve direkte mes fuqive të mëdha si me rastin e Sirisë.//ZERI