Dy ministritë që po vazhdon t’i kërkojë LVV-ja

Dy ministritë që po vazhdon t’i kërkojë LVV-ja

Aktuale October 23, 2019 - 13:22
Lexoni detajet!

Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së. Në këtë takim pritet të diskutohet rreth harmonizimit të qëndrimeve mes dy subjekteve, politikave të brendshme dhe atyre të jashtme. Anëtarë të ekipeve kanë bërë të ditur se temë e bisedave të sotme do të jetë edhe dialogu me Serbinë, shkruan Gazeta "Zëri". 

Kandidati për deputet i LVV-së Xhelal Sveçla ka përsëritur edhe një herë gjatë kësaj jave se LVV-ja nuk do ta lëshojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.

“Qëndrimi i LVV-së është që nuk do të kemi një qeveri të salltaneteve, siç ka ndodhur më herët pasi do të jetë qeveria ‘Kurti’. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e të Punëve të Brendshme do t’i takojnë LVV-së. Nëse do të fitonte LDK-ja do t’i takonin asaj” është shprehur Sveçla.

Pas kësaj ka reaguar nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, i cili ka thënë se kushtëzimet e tilla nuk janë aspak të shëndetshme.

“Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, por nuk besoj se bisedat me kushte janë të shëndetshme në çfarëdo faze”, është shprehur ai.

Veliu më tej ka thënë se ende ka kohë për t’i nisur tamam bisedat për çështjen e ministrive.

Për të njëjtën gjë para pak ditësh pati reaguar edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili pati thënë se LDK-ja nuk lejon që nga një subjekt të përzgjidhen ministri të caktuara dhe pastaj të bëjnë ftesë për të diskutuar. Sipas tij, nuk duhet të ketë kushte nga LVV-ja.

Pavarësisht kësaj, Albulena Haxhiu ka thënë se në takimet LVV - LDK asnjëherë deri më tash nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive.

“Në takimin e kryetarëve të LVV-së dhe të LDK-së jemi dakorduar në parim për 12 ministri. Në takimet tona me LDK-në asnjëherë nuk kemi folur se cilat ministri do t’i marrin subjektet politike. Natyrisht qëllimi ynë është që kjo të jetë në nivel të barabartë”, ka deklaruar ajo për "Zërin".

Mirëpo, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë i takojnë LVV-së.

“Ne besojmë se këto dy ministri shkojnë me kryeministrin. Kur e ke kryeministrin pa dyshim që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme i takojnë subjektit që mban postin e kryeministrit”, ka nënvizuar ajo. /ZERI