S’kanë imunitet – Haradinaj, Lushtaku e të tjerët mund të arrestohen nga çasti në çast nga Specialja

S’kanë imunitet – Haradinaj, Lushtaku e të tjerët mund të arrestohen nga çasti në çast nga Specialja

Aktuale October 23, 2019 - 12:53
Detajet

Të gjithë të përmendurit në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty do të jenë në listën e të ftuarve për intervistim nga Specialja.

Institucioni i lartë i Drejtësisë në Hagë, Prokuroria e Specializuar e Kosovës, kohëve të fundit ka hyrë në pjesën më intensive të punës së saj, shkruan lajmi.net.

Në Kosovë është rritur jashtëzakonisht shumë numri i ftesave që po bëhen publike për intervistim nga hetuesit dhe prokurorët e Speciales.

Veç ftesave, veteranët e luftës po paralajmërojnë se mund të ketë edhe arrestime, madje shumë shpejt.

I pyetur nga lajmi.net se a mund të ndodhin arrestimet e figurave të larta të luftës dhe të politikës aktuale në Kosovë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati thotë se nuk kanë informacione për emrat e përveçëm që do të arrestohen.

Ai thotë se për këtë kanë informacion jozyrtar, mirëpo që mbështetet fuqishëm në faktin e shpeshtimit të ftesave për intervista,

“Nga informacionet jo zyrtare që kemi arrestimet mund të fillojnë shumë shpejtë për shkak të shpeshtimit shumë të madh të ftesave për intervistim. Nuk mund të lëshohemi në emra ose persona të figurave të larta sepse nuk e dimë se për kë bëhet fjalë”, thekson ai.

Arrestimin e Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit apo Rrustem Mustafës, nuk po e përjashton avokati i akredituar nga Specialja, Tomë Gashi.

Ky i fundit për lajmi.net thotë se askush nuk ka imunitet nga arrestimi, pavarësisht funksionit që ka kryer dhe e kryen aktualisht.

“Nuk ka kurrfarë imuniteti askush nga arrestimet, pavarësisht nga funksioni që ka kryer nga 1 janari i vitit 1998 e deri në ditën e sotme për shkak se kështu kanë vendosur fatkeqësisht deputetët e parlamentit të Kosovës më 3 gusht 22015. Është e vërtetë që ditët e fundit janë intensifikuar publiket e ftesave, mirëpo ne ende nuk e dimë numrin e saktë të atyre që janë intervistuar”, thotë ai.

Gashi thotë se deri tani, sipas informatave në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar mbi 100 pjesëtarë të UÇK-së, dhe se së shpejti pritet edhe ngritja e aktakuzave.

Ai konfirmon se do të ketë edhe arrestime.

“Ka informata të bazuara që deri tash janë intervistuar mbi 100 persona, ish-pjesëtar të UÇK-së si të dyshuar dhe mbi 800 dëshmitarë. Së shpejti mund të pritet ngritja e aktakuzave të parë por sigurisht që do të ketë edhe arrestime, mirëpo datat e sakta nuk mund t’i dij askush përpos zyrës së prokurorit special. Secili që e gjen emrin e vetë në raportin e Dick Martyt, secili mund të pres që do ta sheh emrin e vetë në listën e të intervistuarve. Specialja nuk do të mbyllet kurrë pa i intervistuar të gjithë këta që janë përmendur në raportin e Dick Martyt. Duhet ta kemi parasysh që as Prokuroria dhe Gjykata nuk janë të obliguara që t’i publikojnë emrat e atyre që thirren për intervistim”, thotë në fund ai.

E vetëm dje, sipas kryetarit të OVL-së, Hysni Gucati në Kosovë janë dërguar 20 ftesa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“ Vetëm dje janë ftuar 20 persona për intervistim nga Specialja, kështu që po dëshmohet që arrestimet do të ndodhin shumë shpejt. A figura të larta ose kush tjetër nuk e dijmë”, ka thënë ai.

Kosova mbeti pa kryeministër që nga gushti i këtij viti. Shkas për këtë u bë pikërisht Prokuroria e Specializuar e Hagës e cila dërgoi ftesë për ish-kreun e Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Ai, dhe shumë figura të larta të UÇK-së para prokurorëve të Speciales zgjodhën të mbrohen në heshtje, duke mos iu përgjigjur asnjë pyetje të parashtruar nga hetuesit për rastet e dyshuara të krimeve.