Mospajtimet mes LVV-së dhe LDK-së

Mospajtimet mes LVV-së dhe LDK-së

Aktuale October 23, 2019 - 12:45
Lexoni detajet!

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të zhvillojnë takimin e dytë në kuadër të grupeve punuese gjatë ditës së sotme. Duke filluar prej orës 15:00, në Selinë Qendrore të LVV-së, në Prishtinë, përfaqësuesit e dy subjekteve do të diskutojnë rreth harmonizimit të programit qeverisës, rreth politikave të brendshme dhe atyre të jashtme, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, shkruan Gazeta 'Zëri'.

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, javët e fundit ka kritikuar disa herë LVV-në. Para pak ditësh ai tha se LDK-ja nuk do të lejojë që “moskapja e shtetit” të zëvendësohet me një kapje të re të shtetit.

“LDK-ja ka qenë gjithmonë gardiane e kësaj demokracie, sado e brishtë që është. Të jeni të sigurt se moskapja e shtetit, që është bërë si politikë populiste në Kosovë, nuk do të lejohet të zëvendësohet me kapjen e re të shtetit”, është shprehur ai.

Por pak pas kësaj deklarate Haziri ka mohuar që kjo t’i jetë dedikuar LVV-së. Në sqarimin e tij Haziri ka thënë se nuk ka përmendur emra të partive në deklarimin e tij.

“Unë nuk kam përmendur parti”, ka potencuar ai.

Teksa ka komentuar këto qëndrime Belul Beqaj ka thënë se nga deklarimet e tilla nënkuptohet që LDK-ja është e interesuar ta vazhdojë praktikën e kapjes së shtetit.

“Nëse në LDK ka individë që ‘moskapjen e shtetit’ e kuptojnë si ‘kapje nga LVV-ja’, atëherë ata janë kontribuues të kapjes së shtetit në kohën sa LDK-ja ka qenë pjesë e pushteteve dhe si të tillë dëshirojnë për ta vazhduar praktikën e ‘shtetit të kapur’. Në një situatë të tillë më mirë të mos bëhet koalicioni qeverisës”, ka theksuar Beqaj për "Zërin".

Sidoqoftë Lutfi Haziri edhe më herët e kishte sulmuar LVV-në. Teksa pati folur për mosarritjen e marrëveshjes parazgjedhore LVV - LDK, Haziri tha se zyrtarët e Vetëvendosjes nuk gjetën “burrni” për t’u radhitur pas Vjosa Osmanit në listë.

“Nuk gjetën burrni të rreshtohen pas një zonje për kryeministre”, u shpreh Haziri.

mes LVV-së dhe LDK-së nuk përfundojnë këtu. Mospajtime të dyja palët kanë shfaqur edhe sa i përket ndarjes së dikastereve qeveritare.

Ndonëse disa prej përfaqësuesve kanë mohuar të jetë diskutuar rreth kësaj, disa zyrtarë të tjerë të këtyre partive po vazhdojnë të flasin për ministritë që vlerësojnë se u takojnë atyre. /ZERI