Ftesat e Gjykatës Speciale, priten aktakuza të nivelit të lartë!

Ftesat e Gjykatës Speciale, priten aktakuza të nivelit të lartë!

Aktuale October 23, 2019 - 12:19
Detajet

Ditët e fundit Gjykata Speciale ka intensifikuar punën duke shtuar numrin e ftesave të reja për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në një prononcim ka theksuar se procesi po përshpejtohet dhe se priten shumë shpejt aktakuzat e para.

“Këto ftesa të shumta nga Gjykata Speciale po vijnë ngaqë ata duan të përshpejtohet sa më shpejt procesi dhe të ngrihen aktakuzat e para. Nga informacionet jozyrtare që kemi aktakuzat e para pritet që të vijnë shumë shpejt. Në nuk e përjashtojmë mundësinë e protestave në bazë të situatave qysh do rrjedhin” theksoi Gucati për “Gazeta Blic”.

Ndërsa avokati Skënder Musa, thekson se janë spekulime pretendimet se ka informacione për arrestime nga Gjykata Speciale.

“Sa i përket ftesave është normale që në bazë të hetimeve të ketë dëshmitar dhe të dyshuar, ndërsa sa i përket pretendimeve se ka informacioneve për arrestime, këto janë spekulime për shkak se Gjykata Speciale është në tërësi e mbyllët dhe nuk jep informacione se kur kanë me ndodh arrestimet. Pritet me pas ftesa për secilin njeri që ka informacione dhe që është i dyshuar”, tha Musa.

E drejtori Ekzekutiv i Organizatës “Çohu” Arton Demhasaj tha se tashmë mund të priten edhe aktakuza të rangut të lartë pasi po vjen fundi i intervistimeve.

“Duke marrë parasysh që është ftuar një numër i madh i ish-pjesëtarëve të UÇK-së në këto intervista qoftë si të dyshuar qoftë si dëshmitar, tash po duket që ka ardh fundi i intervistimeve dhe tashmë priten edhe aktakuzat e para. Pritet edhe figura kyçe që kanë qenë koka e UÇK-së dhe tashmë janë figura kyçe politike aktualisht në Kosovë që mundem me qenë pjesë e aktakuza në këtë Gjykatë”.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Shkelzen Maliqi thotë se njëherë e mirë UÇK duhet spastrohet nga këto aktakuza që janë bërë për drejtuesit e saj.

“Mendoj se duhet shikuar këtë proces edhe në një aspekt tjetër. Ato akuza janë bërë publike , Këshilli i Evropës dhe BE kanë marrë përsipër me organizu këtë Gjykatë Speciale që është Gjykata jonë por me gjykatës të huaj. Në njëfarë mënyre jo vetëm që të akuzohet UÇK-ja por edhe të spastrohet nga këto akuza. Ka shumë krime të luftës dhe pasluftës që janë të pasqyruara dhe duhet të merret përgjegjësia nga personat përkatës. Ka qenë premtimi se kjo Gjykatë nuk do të merret vetëm me krimet e shqiptarëve por një gjë e tillë nuk po ndodh “ ka thënë Maliqi.

Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka theksuar se vetëm në 10 ditët e fundit, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim mbi 50 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas OVL-UÇK-së, numri i përgjithshëm i të ftuarve ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.Pas Mustafës pasuan edhe ftesat e reja nga Specialja.

U ftua ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, Mendim Daka, njëri prej ish- udhëheqësve të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Kuçi, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, ish-zëvendëskomandanti i “Brigadës 128” i Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

E ditëve të fundit ky numër është intensifkuar ku vetëm gjatë ditës së djeshme ka patur 6 ftesa të tilla nga Specialja duke filluar nga ish rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, Shaban Syla, ish-luftëtari i UÇK-së, Jetullah Krasniqi, Fazli Behrami, kyetrai i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi si dhe ish epror i TMK-së Milaim Latifi.

Gjykata Speciale nuk kishte lënë pa ftesë edhe Kryeministrin në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili refuzoi të paraqitet për intervistim në funksionin e Kryeministrit, për çka dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakoshme, të cilat u mbajten me 6 tetor.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.