Zvicra kërkon konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve
Foto: Laura Hasani

Zvicra kërkon konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve

Aktuale October 22, 2019 - 07:58
Detajet
Image

Në kuadër të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” Katarina Stoker, nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, ka kërkuar që organet e drejtësisë ta konfiskojnë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe atë t’ua kthejë qytetarëve të Kosovës. Njohësit e çështjeve të drejtësisë konsiderojnë se gjyqësorit në Kosovë i mungon vullneti për ta bërë një gjë të tillë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ambasadat e huaja në Kosovë edhe një herë tjetër kanë kërkuar që organet e drejtësisë ta konfiskojnë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të shtetit.

LEXO EDHE: Përfitimet njëvjeçare të deputetëve e të ministrave jofunksionalë

Në 10 vjetorin e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ndër të tjera përfaqësues diplomatikë në Kosovë u shprehën se populli i Kosovës është viktimë e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar në kurriz të tyre. Kështu theksoi përfaqësuesja nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker, e cila shtoi se kjo pasuri duhet t’u kthehet qytetarëve.

“Korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike jetën e njerëzve. Kosova deri tash ka pasur sukses të kufizuar në sanksionimin e rasteve të korrupsionit. Pra e kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur ose e fituar në mënyrë të paligjshme të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njohës të çështjeve të drejtësisë në vend vlerësojnë se nuk ka vullnet nga organet e drejtësisë të hetohen dhe të konfiskohen pasuritë e zyrtarëve të lartë të shtetit, për shkak të lidhjes së tyre me politikën dhe me pushtetin.

Kërkohet drejtësi për viktimat e krimit

Në konferencën, që u mbajt dje në kuadër të 10-vjetorit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, foli edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, i cili u shpreh se është e vështirë të flitet për drejtësi dhe për rehabilitimin e viktimave pa ndëshkimin e krimit.

“Të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në ndëshkimin e keqbërësve, si dhe në mbrojtjen e viktimave të krimit. Këto dy anë kanë të njëjtat vlera, sepse në një shoqëri demokratike interesat e shtetit dhe të viktimave janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Moszbulimi dhe mosndëshkimi i autorëve të krimit sjell pasoja si për shtetin, ashtu edhe për viktimat e krimit dhe mund të ndodhë që krimi i cili nuk ndëshkohet edhe të përsëritet”, ka thënë Lumezi.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, potencoi se Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por mungesë të zbatimit të tij.

“Qytetarët tanë presin që sistemi gjyqësor, por edhe ai prokurorial të veprojnë me vendosmëri dhe në të njëjtën kohë të zbatojnë ligjin me përpikëri, duke u kujdesur edhe në respektimin e fakteve dhe të secilës provë e të secilit rast”, ka deklaruar ai.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe të Zvicrës, të cilët njëzëri kërkuan drejtësi për viktimat e krimit. Ndër të tjera ata bënë thirrje që të hetohet, të gjykohet e të konfiskohet edhe pasuria e paligjshme e zyrtarëve të shtetit, e cila dëmton qytetarët e Kosovës dhe në këtë rast i bën ata viktima.

Salihu: Nuk ka vullnet të drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu, duke folur për gazetën është shprehur se në organet e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë ka mungesë vullneti që të konfiskohet pasuria e fituar me vepër penale e zyrtarëve të shtetit.

“Tash për tash mungon vullneti që organet e rendit të bëjnë një gjë të tillë, por ajo duhet të realizohet dhe të zbatohet. Ky duhet të jetë parim në drejtësi që pasuria e fituar me krim ose me korrupsion doemos t’i merret kryesit të veprës”, ka deklaruar ai.

Salihu thotë se përveç mungesës së vullnetit, këtyre personave që kanë fituar në mënyrë të jashtëligjshme pasuri nuk u konfiskohet ajo për shkak të lidhjeve të tyre me pushtetin.

“Disa prej atyre që kanë përfituar me vepër penale, sidomos në këto tenderët me korrupsion janë në pushtet ose janë të lidhur me pushtetin, prandaj kjo është pasojë e moszbatimit të kësaj mase nga organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Mirëpo ai shton se në rastet e korrupsionit viktimë është e gjithë popullata e vendit dhe pa implementimin dhe pa zbatimin e kësaj mase që është parim në drejtësi ai thotë se nuk do të ketë drejtësi e as kënaqësi për viktimat e krimit.

Gashi: Nuk mjafton dënimi me burg për përfituesit e pasurisë së paligjshme

Avokati Tomë Gashi ka thënë për "Zërin" se në rastet kur persona të caktuar përfitojnë pasuri në mënyrë të paligjshme, përveç dënimit të gjykatës, duhet medoemos që edhe t’u merret pasuria e fituar, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.

"Krimi i organizuar gjithkund në botë luftohet edhe me masën e konfiskimit përveç ndëshkimeve, që janë të parapara në mënyrë krejtësisht të ligjshme. Masa kryesore që i dëmton kriminelët është konfiskimi i pasurisë së tyre, të cilën e fitojnë me vepra penale. Nëse ata dënohen ose gjykohen dhe atyre u lihet pasuria e tyre, atëherë drejtësia vihet në vend vetëm në gjysmë, por assesi krejtësisht", ka deklaruar ai.

Edhe Gashi thekson se mungesa e vullnetit ka çuar që në Kosovë të mos ketë gati fare luftim ose konfiskim të pasurisë së paligjshme te zyrtarët e lartë të shtetit.

"Nuk ka pasur vullnet politik dhe kjo ka qenë e vetmja arsye që deri më tani krimi i organizuar as nuk është luftuar e lëre më të konfiskohet pasuria e fituar përmes këtyre veprave. Pra kjo masë është aplikuar thuajse tepër rrallë, për të mos thënë që nuk ka gati asnjë rast të tillë", ka përfunduar ai.

Ai ka shtuar se pret që së shpejti të zbatohet Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me vepër penale, i cili, siç thotë Gashi, barrën e provës e paraqet si të detyrueshme që personi i dyshuar ta arsyetojë pasurinë.