Sami Lushtaku flet për herë të parë për humbjen e Veselit dhe PDK’së

Sami Lushtaku flet për herë të parë për humbjen e Veselit dhe PDK’së

Aktuale October 20, 2019 - 15:31
Detajet

Kryetari i Degës së PDK’së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka thënë se i qëndron prapa deklaratave që i kishte dhënë më herët se nëse s’fiton PDK dikush duhet dhënë përgjegjësi. Në një bisedë për Express, Lushtaku ka thënë se do të flasë edhe me Kadri Veselin për humbjen e PDK’së. Por, ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të këndellet pak lideri i Partisë

Sami Lushtaku po konsideron se Lideri i PDK’së, Kadri Veseli ende s’është këndellur nga humbja që ka pësuar në zgjedhjet e fundit nacionale.

Prandaj, ai po thotë se do ta pres këndelljen e Veselit për të folur për rezultatin e keq të PDK’së.

“Ende nuk është këndellë ai, të këndellet një herë e tani kemi mundësi me folë gjithçka”, ka thënë Lushtaku, në një bisedë për Express.

Shefi i PDK’së në Skenderaj ka thënë se s’ka marrë pjesë as në takimet që kanë pasur kryetarët e degëve me shefin e partisë pasi ka qenë i zënë në një proces gjyqësor.

“Nuk kam pasë rast edhe pse i ka thirrë kryetarët e nëndegëve, unë s’kam pasë rast të marr pjesë për shkak të gjykatave të mia të famshme, por te shohim”, ka shtuar ai.

Në Pressing të T7, Lushtaku, kohë më parë pati deklaruar se nëse PDK s’del e para do t’i kërkojë llogari Kadri Veselit, i cili prej se ka marrë pozitën e shefit të partisë po shënon vetëm humbje.

Lushtaku ka thënë se u dënon prapa deklaratave që i ka dhënë më herët për rezultatin e PDK’së.

“Unë deklaratave të mia deri më sot iu kam qëndru prapa, por tani te shohim”, ka shtuar ai.

Muaj më parë, Veseli pati marrë vendimin që t’i largojë nga funksionet partiake  dhe shtetërore të gjithë zyrtarët e PDK’së të cilët kanë një aktakuzë të konfirmuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Rreth këtij vendimi të Veselit kishte reaguar edhe Lushtaku, i cili kishtë thënë se askush nuk mund ta largojë nga PDK’ja.

“S’ka bir nane që mundet me më largu nga Partia Demokratike e Kosovës, veç nëse du me u largu vet. Nëse më mbushet menja, me u largu prej Partisë Demokratike atëherë vendosi unë, dikush tjetër nuk s’ka mundësi mem largu”, kishte thënë Sami Lushtaku për Express.

Ngjashëm me Lushtakun kishte folur edhe Adem Grabovci kur ishte pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK-ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kishin probleme me Ligjin.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi? Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, kishte thënë Grabovci për Express.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, në listën e PDK’së për deputetë nuk ishin as Lushtaku e as Grabovci.

PDK’ja doli e treta në këto zgjedhje, duke u mposhtur nga Vetëvendosja e Albin Kurtit e cila doli e para, dhe LDK’ja e Isa Mustafës e cila u radhit e dyta.