Rinumërohen edhe 530 vendvotime, pak gjasa të ndryshojë rezultati
Foto: Laura Hasani

Rinumërohen edhe 530 vendvotime, pak gjasa të ndryshojë rezultati

Aktuale October 18, 2019 - 08:01
Detajet
Image

Me rekomandim të QNR-së, KQZ-ja mori vendim të rinumërohen edhe 530 vendvotime. Shoqëria civile ndonëse kritikon mënyrën e numërimit të votave, thotë se ka pak gjasa të ndryshojë rezultati për subjekte politike, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) ka filluar rinumërimi i votave për 530 vendvotime, vendim ky i cili u mor dje nga KQZ-ja me rekomandim të Qendrës për Numërime dhe Rezultate (QNR) për shkak të parregullsive të evidentuara.

LEXO EDHE: Paralajmërohet rinisja e bisedimeve LVV - LDK

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë kritikuar mënyrën e numërimit të votave në QNR. Sipas tyre është dashur që votat për subjekte politike të numërohen në vendvotime, ndërsa ato për kandidatë në QNR.

Megjithatë, sipas tyre, janë minimale gjasat që rinumërimi i 530 vendvotimeve të sjellë ndryshime në rezultatet e subjekteve politike.

Ata thonë se rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të sjellë ndryshime vetëm për kandidatët brenda subjekteve.

KQZ-ja çon në rinumërim 530 vendvotime

Burim Ahmetaj, koordinator i QNR-së, tha se për shkak të parregullsive të evidentuara kërkojnë që të rinumërohen 530 vendvotime.

"Sa u përket formularëve dhe votave, një numër i madh i vendvotimeve nuk ka mundur të procedohet me rregull pasi nuk janë përputhur të gjitha këto dhe duhet t’i shtrohen prapë procesit. Kemi një numër të madh të vendvotimeve që nuk janë proceduar me rregull dhe nga auditimi rezulton se janë 530 vendvotime të kësaj natyre”, ka thënë ai.

Ndërkaq Valmir Elezi përmes një konference për medie tha se me vendimin e KQZ-së janë 530 vendvotime që do të rinumërohen e të cilat i përkasin komunave të ndryshme.

Ai shtoi se janë 149 vendvotime te të cilat nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike, për shkak të gabimit teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike.

“Në tërësi tha se janë 530 vendvotime të cilat i përkasin komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, gjatë auditimit rezulton se 24 vendvotime kanë problem teknike të mospërputhjes së numrit të fletëvotimeve, të mungesës së faqeve ose rezultatet janë të paqarta.

Tutje ai tha se nga të gjeturat nga auditimi rezulton se te 81 vendvotime nuk ka vota te subjekti politik, por ka te kandidatët. Në 89 vendvotime gjatë auditimit është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe se në 187 vendvotime rezulton se kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

Adnan Rrusnemi, nga LVV-ja, tha se do t’i dërgojnë në Prokurori të gjitha vendvotimet ku kandidatët kanë më shumë vota se subjekti.

“Nuk mund ta trajtojmë këtë fenomen si normale pastaj procesi i zgjedhjeve të zvarritet dhe shpresoj të kemi kohë t’i gjejmë shkaqet. Ne si KQZ do t’i dërgojmë në Prokurori të gjitha vendvotimet ku kandidatët kanë më shumë vota se subjektet politike. Ritmi nuk është i kënaqshëm i rinumërimit, është i ngadalshëm që të shtohet efikasiteti dhe të kemi numër më të madh të kutive në tavolina që numërohen”, ka thënë ai.

Kurse Ilir Gashi, nga PDK-ja, tha se mbështet rinumërimin e tërësishëm të 530 vendvotimeve.

“E mbështes rinumërimin. Po na shpërfaqet prapë fenomeni i mospërputhjes së votave të kandidatëve dhe të subjekteve, duhet të mendohet për të ardhmen si të rrjedhë procesi i numërimit. Kërkoj dy gjëra - e para që saktësia të jetë 100% dhe jo koha se kur përfundojnë këto. Mbështes rekomandimin për rinumërim të tërësishëm të këtyre 530 vendvotimeve”, deklaroi ai.

Ndërsa Sami Hamiti, nga LDK-ja, tha se komisionarët nuk e kanë kryer si duhet punën, prandaj edhe duhet rinumërim i tërësishëm.

“Komisionarët nuk e kanë kryer punën si duhet, ka mospërputhje për kandidatët të cilët kanë qenë më të preferuar nga komisionarët. E mbështes rekomandimin e Burimit që të rinumërohen në tërësi këto 530 vendvotime”, tha ai.

Cakolli: Nuk ndryshon rezultati i partive, vetëm i kandidatëve

Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se rinumërimi po ndodh për shkak të gabimeve të komisioneve që kanë shkruar më shumë vota për kandidatë sesa për partitë.

Sipas tij, këto janë parregullsi që nuk varen nga ana e partive politike.

Ai tha se më rinumërimin e 530 vendvotimeve të pakta janë gjasat që të ndryshojë rezultati për partitë. Ndryshime sipas tij do të ketë për kandidatët e subjekteve politike.

“Rinumërimi bëhet kryesisht si rezultat i parregullsive te kandidatët e subjekteve politike sesa në mes të subjekteve politike. Votat e subjekteve politike nuk ndryshojnë ose mund të ndryshojnë në shifra krejtësisht minimale që nuk mund të ndikojnë në asnjë variant që një subjekt të rrisë përqindjen e tij të votave. Votat e kandidatëve janë ato që mund të pësojnë ndryshime dhe e kemi parë që në bazë të rinumërimit të 314 vendvotimeve ka pasur lëvizje te votat e kandidatëve brenda subjekteve”, ka thënë ai

Krasniqi:Votat e subjekteve duhet të numërohen në vendvotime, ato të kandidatëve në QNR

Ndërkaq ish-anëtari i KDI-së dhe njëherësh monitoruesi i Kuvendit, Albert Krasniqi, ka bërë një propozim me vend për reformën zgjedhore.

Krasniqi ka propozuar që votat e subjekteve politike të numërohen në vendvotime, kurse votat e kandidatëve të numërohen në QNR për t’i evituar manipulimet.

“Propozimi i tillë vërtetohet më së miri në këtë fazë që ndodhet Kosova, pasi janë verifikuar shumë manipulime në numërimet e votave të kandidatëve. Njëra prej pikave më të dobëta të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë mbetet nevoja për rinumërim e votave të kutive, që kryesisht është pasojë e përpjekjeve të komisionarëve për të manipuluar me votat e kandidatëve”, ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka thënë se për t’u rritur besimi në zgjedhje duhet që votat e subjekteve politike të numërohen në vendvotime, kurse votat e kandidatëve në QNR.

“Trendi i rinumërimit është në rritje nga zgjedhjet e vitit 2014, ku prej 19,59% ka arritur në 33,14% në zgjedhjet e fundit e që mund të rritet ende pas shpalljes së rezultateve. Për të rritur besimin në zgjedhje, reforma zgjedhore duhet të marrë në konsideratë që votat e subjekteve politike të numërohen në vendvotime (për të pasur rezultatet më shpejt), kurse votat e kandidatëve të numërohen në QNR për t’i evituar manipulimet”, shkruan Krasniqi.

Prokuroria shkon në QNR për ta përcjellë procesin e rinumërimit

Prokuroria dhe Policia gjatë ditës së djeshme kanë shkuar në QNR për të përcjellë procesin e rinumërimit të votave. Kryetarja e KZQ-së, Valdete Daka, përmes ftesës publike ka kërkuar ndihmën e Prokurorisë dhe të Policisë që të jenë të pranishme brenda objektit të QNR-së, lidhur me hetimin dhe me ndjekjen penale të keqpërdorimeve të mundshme në kuadër të procesit zgjedhor 2019.

“Prokurori i Shtetit njofton publikun se në Qendrën e Numërimit e të Rezultateve (QNR) tanimë janë të pranishëm prokurori i Shtetit dhe hetuesit nga Policia e Kosovës, të cilët bashkërisht do t’i përcjellin dhe do t’i verifikojnë pretendimet e parashtruara nga KQZ-ja”, thuhet ne njoftim.

Vetëvendosja kërkon numërimin e të gjitha votave nga diaspora

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar numërimin e të gjitha votave të ardhura nga diaspora. Kjo parti për këtë çështje ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Lëvizja Vetëvendosje ushtroi ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me mosnumërimin në Qendrën e Numërimit e të Rezultateve të 4639 të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga mërgata. Mbrëmë u numëruan 13491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP-i të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhërojë KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.