Albin Kurti: Nuk kam ndryshuar qëllime e parime por strategji

Albin Kurti: Nuk kam ndryshuar qëllime e parime por strategji

Aktuale October 17, 2019 - 23:10
Detajet

Fituesi i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë për të qeverisur vendin thotë se nuk kanë ndryshuar as qëllimet dhe as parimet e tij por strategjia.

Albin Kurti iu përgjigjet kritikëve se ka ndryshuar qëndrim nga ai që kishte në opozitë ku shfaqej më radikal. Ai thotë se nuk mund të jetë njësoj si në protestë, si në karrigen e kryeministrit por se nuk kanë ndryshuar parimet dhe qëllimet e tij. Kurti thotë se Kosova ka nevojë për një Kushtetutë në të avancuar por se do respektojë Kushtetutshmërinë.

“Kur u shpall pavarësia natyrisht doja të theksoja atë që ka mbetur e parealizuar. Kur kam parë planin e Ahtisaarit që favorizonte serbët se ashtu kërkonte Beogradi dhe që insistonte që pavarësia e Kosovës të ishte më e madhe nga Shqipëria se sa nga Kosova diskursi im ka qenë radikal për atë kohë”, tha ai.

Sa i përket mbajtjes së flamurit kombëtar shqiptar, Albin Kurti tha se në zyrën e kryeministrit do vazhdojë të qëndrojë edhe flamuri i Kosovës.

“Ndryshimi më i madh do të jetë që nga opozita do jemi në qeveri. Flamurin shqiptar e kam pasur gjithmonë në zyrë. Flamurin e Kosovës do ta gjej në zyrën e kryeministrit dhe do ta lë aty. Unë jam për një kushtetutë më të avancuar të Kosovës por ndërkohë do respektoj kushtetutshmërinë në dallim nga ata që e kanë shkelur kushtetutshmërinë.

“Koncepti, qëllimet dhe parimet nuk kanë ndryshuar, strategjia po. Unë vazhdoj të jem me të njëjtat parime, qëllime. Nuk mund të jesh i njëjti si në protestë si në ulësen e kryeministrit”, u shpreh ai në një intervistë në “Real Story” në News 24.