Kosova po ua mbyll dyert stomatologëve
Foto: Laura Hasani

Kosova po ua mbyll dyert stomatologëve

Aktuale October 16, 2019 - 07:59
Detajet
Image

Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që t’ua bëjë një vend të punës specialistëve të stomatologjisë, të cilëve u ishte premtuar një gjë e tillë nga ministri Uran Ismaili. Pavarësisht specializimeve që ata kanë kryer, institucionet publike shëndetësore në vend vazhdojnë të mos hapin konkurse për punësimin e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mbi 100 specialistë të stomatologjisë vlerësohet se janë të papunë në Kosovë, ndonëse me vite ata kanë investuar në kryerjen e shkollimit dhe të specializimit përkatës, që u është nevojitur.

LEXO EDHE: Priten vonesa në formimin e qeverisë

Deri tani atyre nuk u janë dhënë mundësitë të punësohen në institucionet publike shëndetësore në vend, edhe pse një gjë e tillë u ishte premtuar ndër vite.

Për shkak të pakënaqësive që kanë, një grup i specialistëve të papunë të stomatologjisë disa herë kanë mbajtur edhe protesta para Ministrisë së Shëndetësisë, ku kanë kërkuar që t’u gjendet një zgjidhje për punë në institucionet publike, rrjedhimisht që të bëhet hartimi i udhëzimit administrativ, që do t’ua mundësonte atyre inkuadrimin në institucionet publike, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Në protestën e fundit nga stomatologët, të mbajtur në muajin shtator, është kërkuar nga ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, të mbajë premtimet e tij për ndryshimin e udhëzimit administrativ, pasi që disa nga specialistët nuk janë të punësuar as në sektorin publik e as në atë privat.

Për premtimin që u është dhënë atyre Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë për “Zërin” se Udhëzimi Administrativ është në proces të plotësim-ndryshimit.

Sipas saj, janë duke u elaboruar komentet, të cilat janë dhënë nga palët e ndryshme.

“Udhëzimi Administrativ për Rregullimin dhe Funksionimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor, të cilit i jeni referuar, është në proces të plotësim-ndryshimit. Në këtë dokument janë duke u elaboruar komentet e dhëna nga palët e ndryshme, të cilat janë pjesë e procesit të konsultimeve publike, sipas Rregullores së Qeverisë për Hartimin e Akteve Ligjore dhe Nënligjore në Kosovë”, ka thënë ajo.

Nga Ministria e Shëndetësisë është thënë më tej se i mirëkuptojnë stomatologët, të cilët po kërkojnë të punësohen.

“MSH-ja ka dëgjuar edhe kërkesat e stomatologëve, mirëkupton edhe situatat kur profesionistët shëndetësorë kërkojnë të punësohen në Kujdesin Shëndetësor në sistemin publik, por një zgjidhje rreth kësaj çështjeje do ta japë miratimi i udhëzimit, i cili para se të miratohet e të hyjë në fuqi, duhet të shohë argumentet e dhëna si nga grupi punues për hartimin e tij, ashtu edhe nga palët e tjera që kanë parashtruar komente”, ka shtuar ajo.

Syla: Stomatologë e mjekë të fushave tjera po vazhdojnë të jenë të pa punë

Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se stomatologët punësohen në Qendrën Klinike Stomatologjike e jo në QKUK.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë i Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se edhe stomatologët, edhe mjekët e fushave të tjera po vazhdojnë të jenë të papunë në Kosovë.

Sipas tij, politika e ndarjes së kuadrove është e gabuar.

“Nuk janë vetëm stomatologët, por janë edhe 300 mjekë që janë të papunë. Kemi një politikë të gabuar kuadrovike kur i punësojmë ata. Zakonisht punësohen më së shumti në QKUK dhe në Prishtinë. Ndërsa pjesët tjera mbesin. Kemi një politikë të gabuar të kuadrove”, ka thënë ai.

“Me ardhjen e ministrit të ri do të korrigjohen padrejtësitë që janë bërë”

Në lidhje me mungesën e vendeve të punës për stomatologët dhe mjekët e fushave tjera anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku e cila ka qenë edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë për “Zërin” se me ardhjen e ministrit të ri në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të korrigjohen edhe të gjitha padrejtësisë që janë bërë deri tani.

Sipas saj, të gjitha konkurset që do të hapen për punësimin e personelit mjekësor do të bazohen në legjislacionin në fuqi.

“Mendoj që rendi do të vendoset gradualisht dhe besoj se me ministrin e ri të gjitha padrejtësitë do të korrigjohen, sepse është me rëndësi të respektohet ligji dhe të gjitha konkurset të jenë të bazuara në legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar ajo.

Kollçaku ka thënë më tej se konkurset të cilat janë hapur më herët dhe të cilat kanë qenë të padrejta për disa mjekë është dashur të anulohen.

“Ne jemi në një situatë kur ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit e as nuk e kemi qeverinë e re. Ne jemi në një situatë ku shpeshherë para shkuarjes së kësaj qeverie janë marrë shumë vendime elektorale e të padrejta. Mendoj se të gjitha konkurset të cilat janë të padrejta dhe që janë bërë në minutat e fundit, që kanë qenë elektorale, është dashur të anulohen nëse nuk janë bazuar në kritere”, ka theksuar ajo.