Dështimi në INTERPOL, eksperti i sigurisë: Papjekuri diplomatike dhe dobësi në aspektin e sigurisë

Dështimi në INTERPOL, eksperti i sigurisë: Papjekuri diplomatike dhe dobësi në aspektin e sigurisë

Aktuale October 15, 2019 - 23:17
Detajet

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj sot ka kërkuar nga INTERPOL që të shtyhet votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për vitin tjetër për shkak të ngecjeve në sigurimin e një vendi.

Kjo tërheqje e Kosovës nga aplikimi në këtë organizatë është parë si dështimi i radhës i politikës së jashtme të Kosovës, derisa është vlerësuar se fushata e Serbisë ka rezultuar e suksesshme për Kosovën.

 Terheqja nga aplikimi është konfirmuar edhe nga Zyra për Media e Kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja për lajmi.net është shprehur se Kosova këtë vit nuk është dashur të aplikonte fare në INTERPOL.

Sipas tij, Kosova nuk ka marrë parasysh mundësitë kadrovike dhe financiare të cilat janë të nevojshme për lobim.

“Sa i përket Intepolit unë mendoj se këtë vit nuk është dashur të aplikohet pasi është vërejtur se na duhet punë për të bërë që të pranohemi në këtë organizatë. Në momentin e aplikimit së pari është dashtë me e ditë që qeveria në atë kohë ka qenë mjaftë e brishtë, kur flitej për rrëzimin e saj dhe të tjera. Pos kësaj nuk janë marrë parasysh mundësitë kadrovike të cilat nuk i kemi dhe nuk janë marrë parasysh mundësitë financiare që do të ndihmonin për ta kryer këtë detyrë. Këto çështje do të duhej të studioheshin e analizoheshin përpara aplikimit”, tha Qehaja për lajmi.net.

Më tutje, Qehaja është shprehur se meqenëse Kosova ka aplikuar, pas kësaj është dashur të merret ofenzivë diplomatike e politike në lobim tek vendet të cilat herën e fundit kanë votuar kundër Kosovës.

“Pas aplikimit, është dashur të ndërmirren masat shtesë për të filluar një ofenzivë diplomatike e politike sidomos tek shtetet të cilat herën e kaluar kanë votuar kundër Kosovës, pavarësisht kampanjës së egër të Beogradit zyrtar dhe të shpjegojmë domosdoshmërinë e anëtarësimit tonë, para se gjithash, kontributin tonë në luftimin e krimit në botë, por kjo nuk ka ndodhur dhe siç po e shihni ne kemi ardhur në pozicion të këtillë”, tha Qehaja më tutje.

Përveç kësaj, Qehaja ka thënë se pas rrëzimit të qeverisë, askush nuk është marrë me çështjen e INTERPOL-it dhe dështimin për t’u anëtarësuar e ka cilësuar si dobësi të Kosovës.

“Pas rrëzimit të qeverisë, për këtë çështje nuk ka menduar askush sepse është dashur siç thash më herët, një ekip i posaçëm të shkojë jashtë të lobojë në ato shtete për gjërat që është dashur të shpjegohen patjetër, pra askush nuk është marrë me këtë problem, dobësia është e jona. Unë mendoj që tërheqja e tanishme nga agjenda në momentin e fundit, tregon një dobësi tonën që tregon se ende nuk jemi shtet në aspektin diplomatik në arenën ndërkombëtare”, tha Qehaja.

I pyetur për sigurinë në Kosovë pas dështimit të radhës për anëtarësim në INTERPOL, Qehaja tha se është një minus i madh për Kosovën dhe për sigurinë në vend.

“Po, kuptohet që tani kjo është një minus i madh për ne, edhe në aspketin e përgjithshëm kemi një minus të madh dhe po tregojmë një papjekuri diplomatike por edhe të sigurisë sepse nuk kemi arritur të shpjegojmë që ne këtu në rajon, krejt ajo që po ndodh, kur flitet për krimin ndërkombëtar që ne të jemi pjesë e luftimit të atij krimi, kur ne tani jemi në defanzivë dhe kjo tregon dobësi tonën në aspektin e sigurisë”, tha Qehaja për lajmi.net.

Kujtojmë se Kosova vitin e kaluar pati dështuar të jetë pjesë e kësaj organizate për shkak të fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës gjë që rezultoi me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.