Për 8 muaj, mbi 1 mijë e 500 fletëparaqitje kundërvajtësve për prerjen e pyjeve

Për 8 muaj, mbi 1 mijë e 500 fletëparaqitje kundërvajtësve për prerjen e pyjeve

Aktuale October 14, 2019 - 14:11
Lexoni detajet

Prerja e drunjve në mënyrë ilegale në Kosovë vazhdon të jetë problem edhe gjatë këtij viti. Njohës të ambientit kanë thënë për “Zërin” se derisa po vazhdon prerja e pakontrolluar e pyjeve, shëndeti i qytetarëve po rrezikohet, shkruan gazeta "Zëri".

Se gjendja e pyjeve nuk është e mirë e kanë pohuar edhe nga Inspektorati për Pylltari në vend.

Drejtori i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti në Kosovë, Besim Zogu, ka thënë për “Zërin” se pyjet sipas ligjit janë të shpallura pasuri e shtetit dhe se delegimi i kompetencës së mbrojtjes së pyjeve nëpër komuna ka ndikuar që gjendja të përkeqësohet për shkak se, sipas tij, komunat janë treguar të papërgatitura për këtë kompetencë.

Po ashtu ai ka thënë se edhe buxheti i ulët që ndahet për këtë sektor, numri i vogël i rojtarëve të pyllit dhe faktorë të tjerë ndikojnë që gjendja e pyjeve në aspektin e mbrojtjes nga prerjet ilegale nuk është e mirë.

“Numri i vogël i inspektorëve të pyjeve, parashkrimi i madh i lëndëve si pasojë e mosangazhimit adekuat nga gjykatat, mosekzistimi i alternativave tjera për ngrohje, moskoordinimi në masën e duhur i politikave ndërsektoriale dhe ndërinstitucionale, ku vendimet e paanalizuara mirë nxisin presionin në pyje, përkatësisht dëmtimin e tyre. Po ashtu rritja e sipërfaqeve të parqeve e paanalizuar, efektet negative në sektorët tjerë, furnizimi i qytetarëve me dru për ngrohje, furnizimi i industrisë së drurit, dëmtimi i sektorit minerarë, i atij të produkteve jodrunore, frutave pyjore e bimëve mjekësore ndikojnë në degradimin e pyjeve të Kosovës”, ka thënë ai.

Zogu ka deklaruar se si Ministri kanë marrë masa për mbrojtjen e pyjeve.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me Komisionin për Miniera dhe Minerale, me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi përfunduar planin operativ të kontrollit të sektorit minerar në nivel vendi, i cili ka rezultuar edhe me marrje të masave, me vendosje të shiritave për ndalim të aktiviteteve deri në plotësimin e kritereve ligjore dhe me nxjerrje të vendimeve për pagesën e dëmeve të shkaktuara në pyje dhe në toka pyjore”, ka theksuar ai.

Deri në muajin gusht të këtij viti janë ushtruar mbi 1500 fletëparaqitje kundërvajtësve sa u përket prerjeve të pyjeve, si dhe mbi 200 vepra penale.

“Sipas raporteve, deri në muajin gusht 2019 nga ana e autoriteteve janë ushtruar 1519 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 251 penale.

Ndërsa nga Inspektorati Qendror i Pylltarisë dhe i Gjuetisë, Agjencia Pyjore e Kosovës -Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për periudhën janar - shtator 2019 janë ushtruar 890 kontrolle, janë hartuar 577 procesverbale, janë nxjerrë 46 vendime, janë iniciuar 69 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 12 penale”, ka thënë Zogu.

Sipas tij, brenda muajve korrik - shtator janë sekuestruar edhe disa kamionë me drunj, ku vetëm nga muaji janar deri në muajin shtator janë sekuestruar mbi 226 metra katrorë.

“Në bashkëpunim me Policinë dhe me Njësitin për Reagim të Shpejtë janë ushtruar kontrolle në tregjet Rogovë – Gjakovë, ku janë sekuestruar 5 kamionë me masë drunore, në Podujevë 11 traktorë dhe një kamion me masë drunore, në Malishevë dy kamionë me masë drunore, në Vushtrri më datën 30.08.2019 kemi sekuestruar 24 traktorë me masë drunore, si dhe në Ferizaj më datën 26.09.2019 katër ngarkesa me masë drunore. Në total nga Inspektorati për periudhën janar - shtator 2019 janë sekuestruar 226.28 m³”, ka thënë ai./ZERI