Baraliu: Premtimet që janë dhënë të bëhen reale

Baraliu: Premtimet që janë dhënë të bëhen reale

Aktuale October 14, 2019 - 13:43
Lexoni detajet

Ndonëse po priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, që në fillim janë dhënë sinjale për lidhjen e një koalicioni. Me arritjen e një marrëveshjeje këto dy parti do të duhet të ndajnë edhe ministritë, të cilat do t’i udhëheqin, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për ndarjen e dikastereve ministrore ndërmjet këtyre dy subjekteve ka ditë që në ambientet politike dhe jopolitike të vendit përflitet kush kë do ta udhëheqë, madje përmenden edhe emra konkretë nga të dy taborët politikë. Fillimisht kalkulohen preferencat e LVV-së të shfaqura publikisht nga kjo parti. Vetëvendosja pritet të marrë atë të Punëve të Brendshme, të Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë, ministri këto për të cilat në njëfarë mënyre LVV-ja shumë më herët publikisht i ka shfaqur si preferenca të vetat.

Analisti i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se Lëvizja Vetëvendosje duhet të mos shkaktojë probleme sa i përket ndarjes së dikastereve. Sipas tij, të dy subjektet duhet të bëjnë një qeveri më ndryshe nga ato që kanë qenë deri tani, si dhe duhet të realizojnë premtimet e tyre.

Përndryshe, Baraliu ka vlerësuar se ka anëtarë të LDK-së të cilët nuk janë të interesuar për një marrëveshje serioze mes dy subjekteve.

“Ka zëra të ndryshëm në LDK që nuk janë për një marrëveshje serioze, gjë që nëse lidhet ajo marrëveshje do të zgjasë, por që ka edhe gjasa të mos bëhet fare marrëveshja. Këta zëra të LDK-së janë me të vërtetë për t’u çuditur dhe për t’u analizuar, sepse në qoftë se dikush e ka marrë besimin nga votuesit, atëherë do të duhej të reflektonin mirë, sepse nuk është në dëshirën e tyre që ta nënçmojnë besimin që u është dhënë nga elektorati për ndryshim. Ndryshimi nënkupton që dy partitë opozitare të bëjnë një qeveri të përbashkët dhe të vazhdojnë me një platformë bashkëqeverisëse”, ka deklaruar ai./ZERI

.