Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për të qeverisur së bashku

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për të qeverisur së bashku

Aktuale tetor 10, 2019 - 13:55
Detajet

Ka përfunduar takimi mes kreut të LVV-së Albin Kurti dhe kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani. Të dy pas takimit janë deklaruar se kanë biseduar për një qeverisje së bashku, shkruan zëri.info

Osmani tha se gjatë këtij takimi biseduan edhe për zvogëlimin e ministrive dhe zëvendësministrave. 

“Ne sapo zhvilluam takimin tonë të parë me Lëvizjen Vetëvendosje ku kemi diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes pas këtij procesi të mirë zgjedhor. Diskutuam më shumë në nivel të parimeve. Më e rëndësishmja është që të dy partitë treguam gatishmëri për të qeverisur bashke dhe vullnetin e mire për të punuar në interes të qytetarëve. Biseduam për një qeveri që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive”, ka thënë Osmani. 


“Duhet të presim rezultatet finale para se të arrijmë një marëveshje përfundmitare por ka vullnet të mirë në të dyja partitë që kjo marrëveshje të arrihet”, ka thënë ajo. 


Ndërkaq kreu i LVV-së Albin Kurti ka thënë se të dy partitë janë pajtuar që të qeverisin bashke. 

“Ne e kemi filluar bisedimet duke e nisur me iden e perbashket qe do ta zbatojmë për qeverinë sa më efikase dhe për shtet sa më të fuqishëm. Synimi është që t’i dalim zot qytetarëve. Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30% të përfaqësimit gjinor. Do të kemi shumë më pak ministri dhe zv. Ministra por shumë më tepër angazhim dhe punë. Do të takohemi për të harmonizuar programet tona. E uruam njëri tjetrin për gjithçka sepse jemi pajtuar se do të qeverisim bashkë. Ne nuk kemi diskutuar për emra të përveqshëm se kush do të jetë nëpër ministri”, ka thënë ai. 

Ndërkaq e pyetur se a është pajtuar LDK me Kurtin kryeministër Osmani ka thënë se me certifikimin e rezultateve ai qe ka mare më shume vota bëhet kryeministër. 

“Në radhe të parë ne e kemi deklaruar se po presim rezultatin final dhe nëse rezultati konfirmohet kushdo që ka marrë më së shumti vota ne nuk do të kundërshtojmë se kushdo që ka marrë më shumë vota do të bëhet kryeministër. Ndërkaq për pozitën time do të vendosi unë bashkë me partinë që unë përkas”, ka thënë ajo.